Pamje të rralla të botës së egër në Parkun Kombëtar të “Malit të Tomorit”

TIRANË, 19 prill /ATSH/ Kamerat-kurth në Parkun Kombëtar të Malit të Tomorit kanë fiksuar imazhe të jetës së botës së egër në parqet kombëtare të vendit.
Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj ndau sot në rrjetet sociale, një video nga bota e faunës së egër në parqet tona kombëtare, të zbuluar falë kamerave kurth dhe kujdesit të specialistëve të zonave të mbrojtura.
Në videokolazhin e botës së egër, identifikohen kafshë si dhelpra, kunadhja, derri i egër dhe lepuri i egër, të filmuar në lëvizje të lirë në habitatin e tyre natyror, një dëshmi e bukur e jetës së egër dhe e ekosistemeve të shëndetshme që ruhen çdo ditë.
Kafshët e egra, jetojnë të qeta në habitatin e tyre falë moratoriumit të gjuetisë.
Videoja e kamerave-kurth në zonat e mbrojtura ka për qëllim vrojtimin e faunës së egër që ndodhet në këto zona të vendit, njëherësh edhe për të ndërgjegjësuar qytetarët për rëndësinë e mbrojtjes së natyrës dhe faunës së egër.
/e.i/a.f/r.e/