Pamuk: Ruajeni Beratin nga betonizimet
Nobelisti turk vizitoi dje Beratin
Berat / Shkrimtari turk Orhan Pamuk, fitues i çmimit Nobel në letërsi 2006, në kuadër të vizitës së tij të parë në Shqipëri, ka vizituar qytetin e Beratit për të parë pasuritë kulturore e muzeale të këtij qyteti të lashtë dhe për të prezantuar romanin më të ri botuar në shqip "Stambolli".
Pamuk u prit mesditën e djeshme në Bibliotekën "Vexhi Buharaja" të qytetit nga drejtues vendorë, shkrimtarë dhe qytetarë beratas.
Kryetari i Bashkisë së Beratit, Fadil Nasufi e cilësoi vizitën e shkrimtarit një ngjarje për qytetin, kurse Prefekti i Qarkut, Bujar Hoxha e quajti një nder. Vetë shkrimtari u shpreh: "Jam tepër i emocionuar nga kjo pritje e ngrohtë që po më bëhet sot.
E kam pritur me padurim ardhjen time në qytetin e bukur të Beratit dhe vetëm sa zbrita në këtë qytet gjithçka këtu më kujtoi fëmijërinë time dhe qytetin tim të lindjes.
Dua t'ju përgëzoj të gjithëve që e keni mirëmbajtur kaq mirë qytetin e Beratit dhe duhet t'ia dini vlerat sepse keni në dorë një thesar të madh, ndërkohë që ne në Turqi shumicën e qyteteve të tilla i kemi betonizuar, i kemi shkatërruar e i kemi prishur. Sinqeritetin tuaj dhe emocionet tuaja unë po i ndjej njësoj siç i kam ndjerë në Turqi.
Askush nuk më rekomandoi ta vizitoja këtë qytet. Ishte dëshira ime e madhe për të ardhur këtu, pasi jam në dijeni se në shek. XVII Beratin tuaj të lashtë e ka vizituar edhe Evlia Çelebiu dhe 300 e ca vjet më vonë, përsëri vjen një shkrimtar tjetër nga Stambolli që viziton qytetin tuaj të bukur."
Pas fjalës së nobelistit të pranishmit i kanë kërkuar autograf në librat e tij. ai ka vazhduar vizitën në pikat muzeale të qytetit.