E Diel, 1 Nëntor 2026

Grupi i PS-së: Greva do të vazhdojë me deputetë të tjerë

Në rast të moszgjidhjes së krizës, duke filluar që nga e premtja pritet të bëhen zëvendësimet e para, me kontingjent të ri grevistësh. Në plan edhe bllokimi i rrugëve


TIRANË - Opozita nuk ka ndërmend të tërhiqet nga rruga e nisur deri në realizimin e qëllimit për bërjen e transparencës së zgjedhjeve. Rëndimi i gjendjes shëndetësore të grevistëve të urisë vetëm sa e ka detyruar atë që të ndryshojë strategji, por jo të lërë kauzën në mes.


Grupi parlamentar socialist ka diskutuar dje për gati dy orë mbi situatën politike, ecurinë e negociatave dhe strategjinë e mëtejshme që do të ndjekë opozita për vijimin e betejës së saj. Kështu, bëhet e ditur se deputetët socialistë kanë rënë dakord që për të mos rrezikuar jetët e grevistëve që kanë shfaqur probleme shëndetësore, por edhe për të mbajtur të ngritur grevën e urisë, të bëjnë rinovimin e pjesshëm të përbërjes së saj.


Siç mësohet nga burime pranë grupit kuvendor socialist, është parë e arsyeshme që të zëvendësohen ata grevistë që kanë shfaqur probleme serioze për shëndetin dhe që qëndrimi i mëtejshëm në ambientet e grevës dhe në regjimin e urisë do të vinte në rrezik potencial jetën e tyre.


Ndaj, duke filluar që nga e premtja pritet të bëhen zëvendësimet e para, me një kontingjent të ri grevistësh. Por, rinovimi do të bëhet duke pasur parasysh dhe një sërë nevojash si brenda dhe jashtë çadrës.


Sipas të njëjtave burime konfirmohet se për përgatitjen e listës së deputetëve zëvendësues është bërë kujdes që çdo qark të mos mbesë pa të paktën dy deputetë jashtë, në mënyrë që ata të mund të organizojnë qytetarët për të protestuar sipas një grafiku të caktuar në Tiranë, por edhe për të qenë të gatshëm për të organizuar çdo formë rezistence apo proteste nëpër rrethet e tyre, siç mund të jetë një ripërsëritje e bllokimit të rrugëve.


Ndërkohë që edhe zëvendësimet do të bëhen sipas qarqeve, ku çdo deputet që ka dalë apo do të dalë do të zëvendësohet me deputetë të të njëjtin qark.


Megjithatë do të bëhet kujdes që një bërthamë e konsiderueshme e grevës aktuale të ruhet për një kohë më të gjatë, në mënyrë që greva e urisë të ketë vazhdimësi. Vetëm deri dje në mbrëmje numri i të larguarve nga çadra ka shkuar në 60 persona, ndërsa ky numër pritet të rritet së tepërmi me kalimin e ditëve.


Por, megjithatë, siç bëhet e ditur ky është një plan që mbetet për tu zbatuar vetëm, nëse gjatë këtyre dy apo tre ditëve në vijim nuk do të ketë asnjë zgjidhje politike për krizën.


Gjatë mbledhjes së djeshme deputetët socialistë kanë diskutuar edhe për plane të tjera, ku natyrisht një prej tyre është edhe ajo për bllokimin e akseve kryesore rrugore kombëtare.


Megjithatë mësohet se ky projekt është lënë pezull për momentin, duke mos e përjashtuar si mundësi për tu vënë në jetë në ditët në vijim, gjithmonë në rast se nga pala tjetër s'do ketë asnjë tërheqje nga qëndrimi i saj.


Deputetët mësohet se i kanë kërkuar Ramës informacion edhe për negociatat për zgjidhjen e krizës. Grupi ka rënë dakord gjithashtu që të vijojë kontaktet në çdo moment për të përcaktuar lëvizjet e tjera në varësi të zhvillimeve të pritshme.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›