E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pamundësia e federimit europian

Giovani Sartori

-Shumë njerëz ndoshta nuk e dinë që pjesëmarrja në Bashkimin Europian nuk sjell me vete domosdoshmërinë e adoptimit të një monedhe të përbashkët(euro). Vendet anëtarëe të BE-së që kanë adoptuar euron janë 17, ndërsa ato vende që nuk e kanë bërë një gjë të tillë, janë 10. Bashkimi Europian lindi kur, nëse mund të shprehemi kështu, në modë hyri “globalizmi”. Kuptohet se globalizmi financiar erdhi vetiu, për shkak të teknologjisë, e cila e bënte jo vetëm të mundur, por edhe të pashmangshëm. Globalizmi ekonomik është një gjë krejt tjetër dhe këtu për Europën, në mendje të vjen modeli i SHBA-ve. Modeli amerikan Problemi në këtë rast është se sistemi federal kërkon një gjuhë të përbashkët. Në SHBA gjuha e përbashkët është anglishtja, në Gjermani gjermanishtja, India ka trashëguar anglishten, Meksika spanjishten, Brazili portugalishten. Europa nga ana e vet ka të zyrtarizuara 22 gjuhë që fliten në shtetet që përbëjnë Unionin, të cilat nuk favorizojnë krijimin dhe konsolidimin e kushteve për agregimin federal të shteteve. Europa mund të bëhet një komunitet ekonomik, që sot shihet te komuniteti i euros. Por për fat të keq, vënia në veprim e këtij bashkimi ishte e nxituar dhe e pamenduar mirë. Të gjitha shtetet e botës, kontrollojnë monedhën e tyre kombëtare dhe mund të mbrohen, ekonomikisht, përmes tarifave, doganave, por edhe duke zhvlerësuar apo rivlerësuar monedhën e vet. Në këtë mënyrë, SHBA-të mbajnë dollarin “të zhvlerësuar” me synim lehtësimin e eksporteve të veta. Nga ana e vet, BE-ja është një komunitet ekonomik i pambrojtur. Shtetet që e përbëjnë nuk munden që të emetojnë monedhë, as të mbrojnë industritë e tyre përmes barrierave doganore, as të pengojnë që popullsitë më të varfra të Unionit, të vendosen aty ku shteti social paguan më mirë. Katër vende (Gjermania, Britania e Madhe, Austria dhe Holanda) refuzojnë që benefitet e shtetit social t'u shkojnë imigrantëve që vijnë nga brenda Unionit.


Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›