Riciklimi i tezave antishqiptare
Fatbardha Demi/publiciste
-Albanofobia sikurse ksenofobia, sjelljet raciste, dhuna psikologjike, propaganda, dhe agresioni psikologjik, krahas shumë formave të tjera të ndikimit psikik, përfshihen në strategjinë më të përdorur në kohët moderne - të LUFTËS psikologjike. Sipas studiuesve, në këtë veprimtari shkatërruese, bashkëpunojnë specialistë dhe personalitete të fushave të ndryshme shkencore. Shprehje e këtij bashkëpunimi janë “punimet shkencore” mbi origjinën dhe historinë e kombit arbër, si në rastin e Enciklopedisë Maqedonase (17 shtator 2009). Sipas akademikut B. Ristovski ajo paraqet fakte “shkencore” për shqiptarët e ardhur pas shk16 në Maqedoni. Se ata u nxitën nga Ali Pashë Tepelena dhe “me ndihmën e bandave të kaçakëve terrorizuan popullsinë maqedonase, duke i detyruar të shpërngulen, për rrjedhojë vatrat maqedonase dhe fshatrat e tyre u populluan me shqiptarë(Gazeta “Koha”18.09.2009). Edhe në librat serbe të historisë, hartuesit e tyre dëshmojnë se shqiptarët kanë kryer “gjenocid” ndaj popullit serb, me qëllim që t'i largonin serbët nga Kosova. Ata përshkruhen si plaçkitës të kishave, ndërsa në të vetmin vend ku përmenden ilirët, ata quhen “grabitqarë” (Shekulli online 30.09.2010). Akademikët serb si historiani Gjuretiq, arrijnë kaq larg me fantashkencën e tyre historike, sa të pohojnë se: “Mbi 80% të shqiptarëve të sotëm, nga burimet relevante historike, janë me origjinë serbe dhe janë po ata serbë të islamizuar pas Betejës së Kosovës(1389).( 6) Studiuesi Peter Prifti pohon se: “Grekët i shohin shqiptarët si vllahë, d.m.th. pa rrënjë, pa shtëpi, pa tokën e tyre, sikur ata nuk ekzistojnë si popull me kombësinë e vet... Thonë se shqiptarët nuk ekzistojnë fare (7). Këto studime “shkencore” bëjnë pjesë në luftën psikologjike për të krijuar bindjen se shqiptarët nuk janë autoktonë, karakterizohen historikisht nga një karakter kriminal dhe vihet në dyshim qenia e tyre historike. I gjithë ky arsenal luftë-nxitës psikologjik, i drejtuar kundër shqiptarëve, nuk është dënuar asnjëherë nga organet kompetente të Shtetit dhe nuk është bërë i njohur Organizmave Ndërkombëtare prej tij, megjithëse përbën shkakun kryesor të urrejtjes ndëretnike në Ballkan. Albanologu i njohur kroat, Milan Shuflai që në vitin 1913 në librin e tij “Acta et Diplomata res Albaniae mediae actatis illustrantia” vëren se, “të gjitha informacionet për këtë vend e për këtë komb, na i japin vetëm armiqtë e Shqipërisë(!)”. Mënyra më e përhapur e agresionit psikologjik është trazimi i fakteve të vërteta me ato të sajuara, për arritjen e bindjeve negative për ngjarjet, heronjtë apo idealet që udhëhoqën periudha të ndryshme të Historisë sonë. William Nichols (drejtor i “This week magazine”) pohonte se “Zëvendësimi qoftë edhe i një fjale, mund të ndihmojë për të ndryshuar rrugën e Historisë. (9) Në këtë drejtim, kanë dhënë kontributin e tyre në medien elektronike dhe shtypin e përditshëm, sidomos disa autorë minoritarë brenda vendit, por edhe autorë të huaj (studimi për Skënderbeun sllav e Oliver Shmidit etj), që kanë ngjallur revoltën e studiuesve dhe të lexuesve shqiptarë.