“Panairi i 28 i Librit”/ Kryetarja e Jurisë për “Fax Web”: 260 libra të shqyrtuar, me rëndësi cilësia e prurjeve se sa sasia

Nisi sot edicioni i 28-të i Panairit të Librit, i cili do të mbledhë në Pallatin e Kongreseve të pasionuarit pas leximit.
Nën shprehjen e të madhit Ismail Kadare: “Ndërgjegjja jonë ka nevojë për librat”, Panairi do të zgjasë për plot 5 ditë.
Në një intervistë për Faxweb.al, kryetarja e Jurisë së Panairit, Elsa Skënderi, shprehet se, pritshmëritë edhe për këtë edicion janë të larta.
“Pritshmëritë çdo vit janë të larta si nga shkrimtarët që presin sa më shumë lexues të interesuar për veprat e tyre, si nga botuesit që presin sa më shumë vizitorë në stendat e tyre, ashtu edhe nga lexuesit (ata shijehollët) që presin risi nga letërsia shqipe dhe veprat e përkthyera. Megjithatë, të gjitha pritshmëritë e larta janë më se të pëlqyeshme kur bëhet fjalë për librin dhe leximin”, thotë Skënderi për “Fax Web”.
Skënderi tregon se edhe puna e jurisë së këtij viti ka qenë më e madhe se ajo e një viti më parë. Por shton se, këtë edicion kemi të bëjmë me një numër më të ulët botimesh.
“Juria e Panairit të 28 të Librit ka shqyrtuar rreth 260 libra, thuajse 100 më tepër se juria e vitit të kaluar. Megjithatë, të dhënat nga Shoqata e Botuesve flasin për një numër më të ulët botimesh në tërësi, krahasuar me vitet e tjera. Por, unë besoj që në këtë qerthull numrash, më me rëndësi është cilësia e prurjeve të Panairit, se sa sasia në vetvete”, vijon profesoresha e Gjuhës në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë.
Sipas saj, edhe pse nuk mund të flitet për një rritje të dukshme të cilësisë nga njëri vit te tjetri, është për tu gëzuar fakti i rritjes së përgjithshme të kulturës së botimit.
“Në lidhje me cilësinë, nuk më duket që kemi rritje të cilësisë që vërehet dukshëm nga njëri vit te tjetri, megjithatë, më gëzon të vërej një rritje të përgjithshme të kulturës së botimit. Botimi i një libri sillet përmes një pune më të kujdesshme, çka e dëshmon cilësia fizike e librit dhe përgjithësisht edhe vëmendja ndaj përmbajtjes së tij. Si gjuhëtare, nuk mund të mos e vërej nevojën për përmirësime sa i takon redaktimit gjuhësor të librave. Shpesh përkthime e vepra voluminoze humbasin një pjesë të shkëlqimit të tyre prej shmangies së redaktimit letrar a gjuhësor. Për lexuesin, më të rëndësishme se ilustrimet e bukura edhe mes faqesh, janë paragrafët e redaktuar siç duhet. Leximi nuk duhet të kthehet në një proces të mundimshëm të shkoqitjes së paragrafëve të përkthyer fjalë për fjalë nga gjuha e huaj”, vijon Skënderi.
Sipas Kryetares së Jurisë së Panairit, këto aktivitete vlejnë për ruajtjen dhe kultivimin e gjuhës shqipe, pa rënë në kurthet e strukturave gjuhësore të huaja.
“Pas librave të mirë, qëndrojnë me doemos jo vetëm shkrimtarë a përkthyes të mirë, por edhe një redakturë profesionale, që e bën tekstin të jetë e të tingëllojë sa më shqip. Tekefundit, qëllimi ynë duhet të jetë, siç Buzuku e shkruante që në krye të herës, që gjuha shqipe të mos “bdaret e bastardhohet”. Si shenjën më të fortë identitare, duhet ta ruajmë e ta kultivojmë atë, pa rënë në kurthet e strukturave gjuhësore të huaja. Besoj e kujtoni atë poezinë e mirënjohur të Ismail Kadaresë, ku flitet për qëndresë të “Kështjellave të sintaksës”; pikërisht këto kështjella lipset që të mos i lëshojmë sot e mot”, përfundon intervistën e saj për “Fax Web” Kryetarja e Jurisë së Panairit 2025, Elsa Skënderi.