Panairi i 28-të i Librit, Ymeri: Duhet një rrjet funksional librarish dhe bibliotekash publike, shteti të krijojë “presion pozitiv” për të nxitur leximin

Panairi i 28-të i Librit ul siparin këtë të diel, një event disaditor që preferohet nga çdo moshë. Kryetari i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, Petrit Ymeri, në një intervistë për RTSH24, edhe pse e vlerësoi ecurinë shumë të mirë të panairit, shtoi se shtëpitë botuese po sjellin më pak tituj të rinj dhe se kjo situatë lidhet drejtpërdrejt me dobësimin e tregut të librit.
“Mendoj se gjithçka ka shkuar sipas parashikimeve tona dhe shtëpive botuese. Ka më pak tituj të rij, dhe kjo vjen, se ka një situatë më të dobët të tregut të librit dhe viti i kaluar ka pasur më pak blerje dhe shtëpitë botuese kanë pasur më pak buxhet për të të botuar tituj të rinj. Çdo investim dhe projekt kërkon një buxhet dhe nëse nuk arrin të bësh shitjet e parashikuara nuk përballohet’, tha Ymeri.
Ymeri nënvizoi se tregu i librit vuan nga mungesa e një rrjeti funksional librarish dhe nga një sistem pothuajse inekzistent i bibliotekave publike. Ai shtoi se prej vitesh botuesit kërkojnë ndërhyrje të institucioneve për të ndërmarrë politika që nxisin leximin në vend.
Sipas tij, shteti duhet të krijojë një “presion pozitiv” për praninë e librit në çdo hapësirë, në shkolla, biblioteka dhe librari.
“Kemi vite që kërkojmë të përmirësojmë situatën dhe flasim për librin dhe leximin për të ndihmuar lexuesin dhe jo për të ndihmuar bizneset. Kur themi të ndihmojmë bibliotekat apo libraritë që t’i pasurojmë ato dhe të ndihmojmë lexuesin që të gjejë librin që dëshiron duke nxitur leximin. Këtë detyrë e kanë institucionet duke marrë parasysh edhe propozimet tona. Teknologjia ndikon në një farë mënyrë por nuk e dëmton pasi në fund rendësi ka leximi qoftë në letër qoftë nga një ekran. Shteti, institucionet duhet t’i dalin përpara çdo situate, lexuesi duhet të jetë në presion pozitiv që libri të jetë kudo, të jetë i pranishëm në shkollë, bibliotekën e lagjes, bibliotekën e qyteteve dhe librari”, u shpreh Ymeri.
Sa i përket çmimeve të librave, Ymeri theksoi se çmimet e librave në Shqipëri mbeten ndër më të ulëtat në rajon dhe më gjerë. Për këtë arsye, tha ai, uljet 20–50% në Panairin e Librit synojnë të nxisin leximin dhe njëkohësisht të ulnin stoqet e botuesve, të cilat janë rritur si pasojë e dobësimit të tregut.
“Ne nuk kemi çmime të larta të librave, të krahasuar edhe më tregun jashtë nesh. Ne e kemi çmimin më të ulët se tregu jashtë pasi fuqinë blerëse e kemi më të dobët dhe vitet e fundit ka pasur një rritje të dukshme të kostos së prodhimit të librit dhe kjo nuk varet nga ne. Uljet në panair 20-30-50 % është për të inkurajuar lexuesin dhe për të ulur stoqet e mëdha që kanë shumica e botuesve tek ne. Kjo vjen nga dobësimi i tregut të librit, kemi një rrjet të dobët librarish, një rrjet thuajse inekzistent të bibliotekave publike”, tha ai.
Një moment i rëndësishëm i Panairit është takimi i autorëve me lexuesit, traditë që vijon edhe jashtë panairit, në librari dhe ambiente të tjera kulturore. Po ashtu, Ymeri theksoi rëndësinë e çmimeve letrare të Panairit, duke i cilësuar si më të pavarurat dhe më profesionistët në vend, pasi vendosen nga një juri e paanshme që ndryshon çdo vit.
“Në stendat e shtëpive botuese janë edhe vetë autorët që takohen me lexuesit dhe kjo bëhet jo vetëm në panair por edhe në libraritë e mëdha, ambiente të ndryshëm dhe të gjitha këto ndihmojnë leximin. Çmimet që jepen në panair mendoj se janë më të rëndësishmet që jepen në vend, sepse janë të pavarura nga politika, nga administrata, të pavarura nga ndikime jashtë letrare. Ato jepen nga një juri profesioniste, që ndryshon çdo vit, ku ka autorë, përkthyer, studiues, gazetar kulture etj. dhe ato zgjedhin duke lexuar librat pa asnjë ndikim tjetër”, shtoi ai.
Ymeri u shpreh optimist për publikun shqiptar, duke theksuar se ka lexues nga të gjitha kategoritë: nga ata që preferojnë letërsinë e lehtë, te ata që kërkojnë autorë klasikë, si dhe interes të shtuar për libra historikë, sociologjikë e politikë. Ai theksoi se përkthimet në Shqipëri janë të kujdesshme dhe në harmoni me trendet bashkëkohore të botimit ndërkombëtar.
“Mendoj se shqiptarët janë lexues të mirë, por ka lexues të kategorive të ndryshme, disa pëlqejnë letërsinë e lehtë, disa letërsinë me autorë më të mëdhenj, por pëlqehen edhe librat historik, sociologjik, politikë. Tek ne përkthimet janë nga të gjitha fushat dhe janë të përzgjedhura me kujdes. Jemi në të njëjtën linjë me të gjithë botuesit në botë”, tha Ymeri.
Panairi i 28-të i Librit vijon të mbetet një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore të vitit, duke vënë theksin te leximi, cilësia dhe sfidat e tregut të librit në vend.
/rtsh.al/