E Diel, 1 Nëntor 2026

Britania ashpërson politikat për azilkërkuesit: Status i përkohshëm dhe pritje deri në 20 vite për qëndrim të përhershëm

Qeveria Laburiste e Britanisë ka njoftuar reformën më të gjerë të viteve të fundit në politikën e azilit, duke ashpërsuar ndjeshëm rregullat për azilkërkuesit dhe për mënyrën si trajtohen aplikimet.

Sipas propozimeve të reja, statusi i refugjatit nuk do të jetë më i përhershëm, por i përkohshëm dhe i rishikueshëm. Autoritetet britanike synojnë që pritja për marrjen e qëndrimit të përhershëm të zgjatet deri në 20 vjet, një ndryshim drastik krahasuar me sistemin aktual, ku shumë refugjatë vendosen përgjithmonë pas pesë vitesh.

Qeveria tha se do të frymëzohet nga qasja e Danimarkës, një nga më të rreptat në Evropë në trajtimin e emigracionit. Ndryshime të tilla pritet të shtrëngojnë më tej politikat britanike, në një kohë kur vendet europiane po përballen me rritje të ndjeshmërisë ndaj emigracionit.

Ministrja e Brendshme, Shabana Mahmood, njoftoi se detyrimi ligjor për të ofruar strehim dhe ndihmë financiare për disa azilkërkues do të rishikohet. Sipas saj, mbështetja e financuar nga taksapaguesit duhet t’u jepet prioritarisht atyre që kontribuojnë në ekonominë dhe komunitetet lokale.

Mahmood tha se mbrojtja për refugjatët do të jetë e përkohshme dhe do të rishikohet çdo dy vjet e gjysmë, ndërsa statusi mund të revokohet nëse vendi i origjinës konsiderohet i sigurt.

“Sistemi ynë ka qenë shumë bujar krahasuar me vendet e tjera. Ne do ta ndryshojmë këtë, sepse qëndrimi i përhershëm nuk duhet të vijë automatikisht pas pesë vitesh”, deklaroi ajo.

Ashpërsimi i ligjeve për azilkërkuesit ka nxitur kritikat nga organizatat e të drejtave të njeriut. Më shumë se 100 organizata bamirëse në Britani kritikuan ashpërsimin e politikave, duke paralajmëruar se ato “nxisin racizëm dhe dhunë” dhe përqendrohen në fajësimin e emigrantëve në vend që të ofrojnë zgjidhje reale.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›