E Hënë, 2 Nëntor 2026

Panairi i Librit, Java Kulturore Britanike e të tjera aktivitete kulturore gjatë kësaj jave

TIRANË, 10 nëntor/ATSH/ Një nga eventet më të rëndësishme të kësaj jave, por edhe më i rëndësishmi për këtë vit, sa i takon librit, do të jetë Panairi i Librit, Tirana 2025.

Edicioni i 28-të i këtij panairi vjen nën moton “Ndërgjegjja jonë ka nevojë për librat”, një thënie e të madhit Kadare. Panairi i Librit nis më 12 nëntor dhe mbyllet më 16 nëntor.

Një tjetër ngjarje e rëndësishme është Java Kulturore Britanike, aktivitetet e së cilës nisin sot me koncertin “Tinguj Madhështie”, ku dirigjenti britanik James Ross do të drejtojë Orkestrën Simfonike të TKOB-it.

Më 11 nëntor është në program një event mbi fuqinë e inovacionit digjital në arsim dhe ndërtimin e së ardhmes përmes teknologjisë.

Ndërkohë më 12 nëntor, vjen ekspozita “Range” e Richard Deacon, një ekspozitë vetjake e skulptorit të njohur britanik që sjell një vështrim të thellë në krijimtarinë dhe filozofinë e tij artistike.

Më 13 nëntor do të zhvillohet seminari Kolonel Aubrey Herbert & Shqipëria, një seminar përkujtimor mbi jetën dhe trashëgiminë e mikut të madh të shqiptarëve Aubrey Herbert.

Në 14 nëntor do të zhvillohet një aktivitet dedikuar të rinjve, në Parkimin e Sheshit “Skënderbej”, ku do të luhet muzikë elektronike si dhe një performancë live nga Henri Bergmann, Malo dhe Andi Q.

Në Galerinë e Artit Tiranë, Oltsen Gripshti vjen këtë javë me ekspozitë dhe libër “Historia e Novelës Grafike dhe Karikaturës Shqiptare”.

/a.f/ /a.g/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›