36 vjet nga rënia e Murit të Berlinit

TIRANË, 9 nëntor/ATSH/ Sot mbushen 36 vjet që nga shembja e Murit të Berlinit, i cili ishte bërë simbol i Luftës së Ftohtë.
Muri, ndërtimi i të cilit filloi më 13 gusht të vitit 1961 dhe e shndërroi në një ishull Berlinin Perëndimor në Gjermaninë Lindore, u shemb më 9 nëntor të vitit 1989.
Muzeu historik Kombëtar ndau sot pamje nga rënia e Murit të Berlinit, i cili ishte rezultat i protestave paqësore, presionit ndërkombëtar dhe dobësimit të regjimeve komuniste.
Ai u shemb nga vetë qytetarët, duke shënuar fundin e ndarjes së Gjermanisë, rënien e komunizmit në Evropën Lindore dhe fillimin e ribashkimit gjerman më 3 tetor 1990.
“Mbrëmja e 9 nëntorit 1989 shënoi një nga momentet më të rëndësishme të shekullit XX, rënien e Murit të Berlinit. Pas një njoftimi që lejonte kalimin e lirë drejt Perëndimit, mijëra qytetarë të Berlinit Lindor u dyndën në kufi, duke hapur rrugën për shembjen e murit që për gati tri dekada kishte ndarë qytetin, familjet dhe vetë Gjermaninë”, thuhet në njoftimin e Muzeut Historik Kombëtar.
I ndërtuar më 13 gusht 1961, muri kishte një gjatësi prej 155 kilometrash dhe një lartësi prej rreth 3 metrash.
Ai u bë simbol i ndarjes së botës në dy kampe, Lindjes komuniste dhe Perëndimit demokratik, dhe një nga dëshmitë më të prekshme të Luftës së Ftohtë.
Në fund të viteve 1950, mijëra gjermanolindorë iknin drejt Perëndimit, çka çoi në ngritjen e murit dhe në mbylljen hermetike të kufirit me tela me gjemba.
Pavarësisht rrezikut, shumëkush tentoi arratisjen: 270 persona humbën jetën dhe mbi 3,200 u arrestuan.
/m.m/a.f/