Panairi i Tiranës “Shqipëria 2030” – Zhvillim, inovacion dhe media publike në një event të vetëm

Nën moton “Shqipëria 2030” nisi edicioni i 31-të i Panairit Ndërkombëtar të Tiranës – një nga aktivitetet më të rëndësishme ekonomike të vitit, që vë në qendër vizionin e vendit për zhvillim të qëndrueshëm dhe modernizimin e sektorëve kryesorë të ekonomisë.
Në ceremoninë e hapjes, ministrja Delina Ibrahimaj u ndal te mundësitë që ofron sot Shqipëria për investitorët, duke theksuar klimën e favorshme të biznesit që po krijohet në vend.
“Më gëzon fakti që Shqipëria po krijon një klimë të favorshme biznesi jo vetëm për rajonin, por edhe më gjerë. Ne jemi përpjekur të ndërtojmë baza ligjore tërheqëse për investime”, u shpreh ministrja.
Ndërkohë, drejtoresha e Korporatës së Investimeve, Elira Kokona, u shpreh se edicioni i sivjetshëm i Panairit Ndërkombëtar të Tiranës përkon plotësisht me vizionin e zhvillimit ekonomik që synon Shqipëria në horizontin e vitit 2030.
“Këtë vit, panairi merr një kuptim të veçantë, sepse Shqipëria prezanton vizionin e saj “Shqipëria 2030”, një vizion që nuk është vetëm ambicie zhvillimi, por një projekt kombëtar për transformim ekonomik, urban, social dhe kulturor. Si Korporatë e Investimeve Shqiptare, ne jemi themeluar për një mision të qartë: Të zhvillojmë dhe shumëfishojmë vlerën e aseteve publike, duke krijuar partneritete të reja me sektorin privat për të gjeneruar rritje afatgjatë dhe përfitim të ndershëm për shoqërinë”, tha Kokona.
E pranishme në këtë edicion ishte edhe Radio Televizioni Shqiptar me stendën e saj, ku vizitorët patën mundësinë të njihen nga afër me rrugëtimin e medias publike – nga vitet e para të transmetimit, deri te epoka digjitale e sotme. Një hapësirë që ndërthur historinë me teknologjinë, duke reflektuar rolin e RTSH-së si institucion që ruan traditën, por njëkohësisht përqafon inovacionin dhe të ardhmen e komunikimit publik.
Gazetar: Omer Saraçi
/rtsh.al/