Banka e Shqipërisë nuk ndryshon normën bazë të interesit

Banka e Shqipërisë, në mbledhjen e sotme të Këshillit Mbikqyrës, vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 2.5%.
Në fjalën pas mbledhjes Guvernatori Gent Sejko, tha se, ekonomia shqiptare ka vijuar të rritet, ndërsa parametrat kryesorë të stabilitetit ekonomik, monetar dhe financiar të vendit, mbeten të konsoliduar.
Banka e Shqipërisë vlerëson se zgjerimi i aktivitetit ekonomik u mbështet nga rritja e konsumit familjar, e investimeve të sektorit privat dhe e eksportit të shërbimeve. Nga ana tjetër, politika fiskale ka vijuar të shfaqë një natyrë konsoliduese, ndërsa eksporti i mallrave ka shënuar rënie.
Ky profil kërkese ka nxitur zgjerimin e sektorëve të shërbimeve e të ndërtimit, ndërsa sektori i bujqësisë dhe ai i industrisë kanë vijuar të tkurren. Informacioni indirekt i disponuar, sipas tij, sugjeron për ritme dhe strukturë të ngjashme rritjeje edhe gjatë gjysmës së dytë.
Rritja e kërkesës për mallra e shërbime është pasqyruar edhe në tregun e punës. Punësimi në sektorin privat jobujqësor u rrit me 3.4% në tremujorin e dytë, paga mesatare u rrit me 9.5%, ndërsa norma e papunësisë qëndron në nivele të ulëta historike prej 8.5%.
“Rritja e shpejtë e pagave nuk është përcjellë e plotë në rritje të çmimeve, si pasojë e absorbimit të saj nga produktiviteti dhe marzhet e fitimit të bizneseve. Megjithatë, kërkesa e lartë për punë nga bizneset dhe mungesa e ofertës vijojnë ta mbajnë tregun e punës nën tension.
Në këndvështrimin makroekonomik, rritja ekonomike është mbështetur nga bilancet e shëndosha të sektorit privat, besimi për të ardhmen i familjeve dhe bizneseve, zgjerimi i të ardhurave nga turizmi, si dhe kushtet e favorshme të financimit,” tha Sejko.
Inflacioni ka shënuar një rritje të lehtë gjatë tremujorit të tretë, por ai vijon të qëndrojë në nivele të ulëta dhe poshtë objektivit të bankës qendrore.
Sipas Guvernatorit, rritja e inflacionit këtë tremujor u diktua nga rritja relativisht e shpejtë e çmimit të qirave, rritja e lehtë e inflacionit të shërbimeve, si dhe stabilizimi i çmimit të naftës.