E Diel, 1 Nëntor 2026

Panariti-Jiechi: Stad i ri në marrëdhëniet ekonomike

Ministri i Jashtëm Edmond Panariti vijon vizitën e tij në Kinë ndërsa sot ai është pritur edhe nga homologu i tij kinez Yang Jiechi. Gjatë takimit, ministri Panariti vlerësoi nivelin e marrëdhënieve shumë të mira që ekzistojnë midis të dy vendeve. Ai e siguroi palën kineze për vendosmërinë e qeverisë shqiptare për t`i forcuar dhe zhvilluar ato edhe më tej në të ardhmen, në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë, sidomos në fushën e shkëmbimeve ekonomike dhe tregtare, në rritjen e investimeve kineze në Shqipëri. Me tej, ai vlerësoi progresin e arritur nga Republika Popullore e Kinës, sidomos në fushën ekonomike.
 

Duke u ndalur në potencialin e madh të bashkëpunimit dypalësh, Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, i kushtoi vëmendje të vecantë marrëdhënieve në fushën ekonomike, sidomos investimeve kineze në fusha konkrete, si në energjitikë, në industrinë e minierave, turizmit, në Zonat e Lira me status "Park Industrial" etj., si dhe përkushtimit të Qeverisë Shqiptare për këto fusha, nëpërmjet të gjithë kuadrit të nevojshëm ligjor, për t`u krijuar tërë lehtësitë investimeve të huaja.
 

Më pas Ministri Panariti përsëriti dëshirën që Republika Popullore e Kinës, duke patur një rol shumë të madh në zgjidhjen e problemeve të rëndësishme ndërkombëtare, të luajë rolin e saj në njohjen e pavarësisë së Kosovës. Kjo njohje prej saj, tha Ministri Panariti, do të jetë një kontribut tjetër i madh në forcimin e paqes dhe stabilitetit në rajonin e Ballkanit dhe më gjerë.
Nga ana e tij Ministri i Jashtëm kinez, Yang Jiechi, vlerësoi lart frymën e ngushtë të bashkëpunimit që ekziston ndërmjet dy vendeve në të gjitha fushat. Vizita e Ministrit të Jashtëm të Shqipërisë, nënvizoi ai, është shprehje konkrete e marrëdhënieve tradicionale të shkëlqyera midis dy vendeve tona.
 

Duke folur për të ardhmen e marrëdhënieve midis dy vendeve, Ministri Yang Jiechi, u shpreh se ato janë mjaft premtuese, jo vetëm për shkak të traditës, vullnetit politik, por edhe për faktin që realiteti i zhvillimeve të vendeve tona ofron një potencial të madh për ta ngritur këtë bashkëpunim, sidomos në fushën ekonomike, në një stad të ri.
 

Në bisedime u diskutua dhe për bashkëpunimin shumëpalësh, ku me këtë rast u konfirmua mbështetja reciproke në organizatat ndërkombëtare. Gjithashtu të dy ministrat diskutuan për zhvillimet rajonale dhe globale.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›