Panariti: Marrëdhënie të sinqerta. Mrkiç: Të kapërcejmë pengesat
Shqipëria vlerëson takimin mes dy kryeministrave Thaçi dhe Daçiç në Bruksel ndërsa mirëpret njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia. Kështu është shprehur ministri i jashtëm Edmond Panariti në konferencën e përbashkët për shtyp me homologun e tij sern Ivan Mrkiç.
Ministri Panariti ka deklaruar gjithashtu se marrëdhëniet me Serbinë duhet të vijojnë të jenë më të hapura, të sinqerta dhe me prirjen për t`i çuar ato përpara.
Sipas tij gjatë takimit me homologun serb është diskutuar për një sërë çështjesh, mes të cilave për komunitetin shqiptar në jug të Serbisë dhe për marrëdhëniet me Kosovën.
“Faktori shqiptar në Serbinë e Jugut meriton të trajtohet sipas standarteve demokratike, plotësimi i kërkesave për arsim, mbështetje financiare nga shteti serb, këtë presim. Të përmbahen ndaj akteve të dhunës ndaj këtij komuniteti. Kjo ruan identitetin e këtij komuniti dhe forcon marrëdhënit e dy vendeve”, tha Panariti.
Nga ana e tij ministri serb ka theksuar se qeveria serbe është e angazhuar të bëjë gjithçka për të tejkaluar pengesat dhe për të mbajtur marrëdhënie shumë të forta me Shqipërinë.
"Ne e dimë si ka qenë gjendja pas Luftës së Dytë Botërore dhe të kaluarën jo shumë të largët dhe punojmë për një sqarim të së kaluarës, ne humbëm rastet për forcimin e marrëdhënieve tonë, tashmë mendojmë se duhet që ti kapërcejmë pengesat. Ne si qeveri e re e Serbisë jemi të vendosur me Nikolic të zhvillojmë lidhje të forta me Shqipërinë dhe të gjejmë pikat që na bashkojnë, ndonëse e dimë se kemi pika fondamentale që nuk përputhen, por nëse zgjerojmë bashkëpunimin atëherë mendojmë se do të arrijmë të qartësojmë problemet e tjera. Ky është qëllimi i sinqertë, ne kemi folur edhe për pakicat, edhe për pakicën serbe që jeton në Shqipëri dhe shumë tema të tjera dhe kemi arritur në përfundimin që të bëjmë gjithçka që të kapërcejmë pengesat që kemi përpara. Gjithçka varet prej nesh" tha Mrkiç.
I pyetur se kur Serbia do të kërkojë falje për genocidin ndaj shqiptarëve, ministri serb Mrkiç theksoi se tashmë duhet të vihen në pah gjërat që i bashkojnë dy vendet dhe jo ato që i ndajnë.
“Ne serbët e kemi provuar genocidin dhe e mbajmë mend gjatë këtë. Ne kemi intepretime të ndryshme për historinë prandaj duhet sa më pak ti referohemi kësaj periudhe dhe këtë tia lënë historianëve dhe njerëzve të shkencës. Ne si politikanë duhet të përpiqemi që të vëmë në pah çdo gjë që na bashkon” tha Mrkiç.