E Diel, 1 Nëntor 2026

Panariti: Stop dhunës ndaj shqiptarëve në Preshevë

Ministri i jashtëm Edmond Panariti ka kërkuar sot respektimin e të drejtave të shqiptarëve në jug të Serbisë. Në një konferencë të përbashkët për shtyp me homologun e tij serb Ivan Mrkiç, Panariti theksoi se marrëdhëniet me Serbinë duhet të vijojnë të jenë më të hapura, të sinqerta dhe me prirjen për t`i çuar ato përpara.
 

“Faktori shqiptar në Serbinë e Jugut meriton të trajtohet sipas standarteve demokratike, plotësimi i kërkesave për arsim, mbështetje financiare nga shteti serb, këtë presim. Të përmbahen ndaj akteve të dhunës ndaj këtij komuniteti. Kjo ruan identitetin e këtij komuniti dhe forcon marrëdhënit e dy vendeve”, tha Panariti.
 

Gjithashtu Panariti theksoi se gjatë takimit me ministrin serb është diskutuar për një sërë çështjesh, mes të cilave edhe për marrëdhëniet me Kosovën.
 

“Ne vlerësojmë takimin mes dy kryeministrave Thaçi dhe Daçiç në Bruksel ndërsa mirëpresim edhe njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia” tha Panariti.

Nga ana e tij ministri serb ka theksuar se qeveria serbe është e angazhuar të bëjë gjithçka për të tejkaluar pengesat dhe për të mbajtur marrëdhënie shumë të forta me Shqipërinë.

"Ne e dimë si ka qenë gjendja pas Luftës së Dytë Botërore dhe të kaluarën jo shumë të largët dhe punojmë për një sqarim të së kaluarës, ne humbëm rastet për forcimin e marrëdhënieve tonë, tashmë mendojmë se duhet që ti kapërcejmë pengesat. Ne si qeveri e re e Serbisë jemi të vendosur me Nikolic të zhvillojmë lidhje të forta me Shqipërinë dhe të gjejmë pikat që na bashkojnë, ndonëse e dimë se kemi pika fondamentale që nuk përputhen, por nëse zgjerojmë bashkëpunimin atëherë mendojmë se do të arrijmë të qartësojmë problemet e tjera. Ky është qëllimi i sinqertë, ne kemi folur edhe për pakicat, edhe për pakicën serbe që jeton në Shqipëri dhe shumë tema të tjera dhe kemi arritur në përfundimin që të bëjmë gjithçka që të kapërcejmë pengesat që kemi përpara. Gjithçka varet prej nesh" tha Mrkiç.

I pyetur se kur Serbia do të kërkojë falje për genocidin ndaj shqiptarëve, ministri serb Mrkiç theksoi se tashmë duhet të vihen në pah gjërat që i bashkojnë dy vendet dhe jo ato që i ndajnë.
 

“Ne serbët e kemi provuar genocidin dhe e mbajmë mend gjatë këtë. Ne kemi intepretime të ndryshme për historinë prandaj duhet sa më pak ti referohemi kësaj periudhe dhe këtë tia lënë historianëve dhe njerëzve të shkencës. Ne si politikanë duhet të përpiqemi që të vëmë në pah çdo gjë që na bashkon” tha Mrkiç.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›