Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa rrëzon ankesën e Listës Serbe kundër Lëvizjes Vetëvendosje

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka refuzuar ankesën e Listës Serbe kundër Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), duke e konsideruar atë të pabazuar. Ankesa kishte të bënte me pretendimet për shkelje të Kodit të Mirësjelljes gjatë fushatës për zgjedhjet lokale të 12 tetorit 2025.
Lista Serbe pretendonte se LVV kishte ushtruar presion politik ndaj tyre përmes një ankese të mëparshme, duke e cilësuar si një fyerje ndaj përfaqësuesve politikë të komunitetit serb në Kosovë dhe një abuzim me të drejtën e ankesës.
Nga ana tjetër, Lëvizja Vetëvendosje sqaroi se veprimet e tyre ishin në përputhje me ligjin. Ata argumentuan se slogani i Listës Serbe nxit përçarje dhe glorifikon një person të shpallur në kërkim, duke e bërë ankesën e tyre një veprim të justifikuar dhe legjitim për adresimin e shkeljeve.
PZAP, pas shqyrtimit të provave dhe argumenteve, konkludoi se kërkesa e Listës Serbe për të konsideruar veprimin e LVV-së si shkelje është e pabazuar, duke shtuar se çdo subjekt politik ka të drejtë të paraqesë ankesa brenda afateve ligjore, dhe refuzimi i një ankese nuk nënkupton abuzim me mekanizmin ligjor.
/rtsh.al/