E Shtunë, 31 Tetor 2026

Paniku i humbjes së Ramës dhe tre ligjet e pavotuara

05-05-2013 / Nga Artur Bego

Pas sondazheve që paralajmërojnë disfatën e rëndë të koalicionit imoral të së majtës, Edi Rama po përpiqet të modifikojë imazhin e vet dhe ka dhënë fjalën se do t’i votojë tre ligjet e kërkuara nga Brukseli. Ngritja e barrikadës nga kryetari i opozitës s’e fsheh dot mbajtjen peng të vendit për 3 vjet rresht dhe shitjen e aspiratës mbarëshqiptare për integrim në Evropë me një pazar që gjithsesi s’po i jep asnjë shpresë skalionit bolshevik të ish-Bllokut për rikthimin në pushtet

Bllokimin e votimit të tre ligjeve si kushte për marrjen e statusit të vendit kandidat për në BE, që për vite me radhë Edi Rama e ksihte “kalin e betejës”, për të mos i dhënë asete më shumë mazhorancës qeverisëse, e thënë ndryshe, dëmtimin sadopak të imazhit të kësaj mazhorance, tashmë po e shikon këtë [(zh)bllokim], si “As”-in nën mëngë për të përmirësuar imazhin e vetë.
Pas sondazheve që paralajmërojnë disfatën e rëndë, pse jo dhe të radhës të koalicionit imoral të së majtës, Edi Rama po përpiqet të modifikojë imazhin e vet.
Si më mirë, mund ta bëjë këtë gjë…?
… Vetëm duke këmbyer rolin e protagonistit të bllokimit, me rolin e protagonistit të zhbllokimit…
Por edhe këtë rol, nuk guxoi ta marrë vetë përsipër (i pari), por u mjaftua duke bërë “yes men”-in, pas propozimit më të fundit, të aleatit të tij, kreut të LSI-së, Ilir Meta… A thua se, Ilir Meta, apo edhe të tjerë, shqiptarë e jo shqiptarë, nga Tirana, Brukseli e Uashingtoni, nuk i kanë kërkuar Edi Ramës, votimin e tre ligjeve…
Por Edi Rama i cili “u kap fort” pas pizhameve të Vangjel Ndrekos, tashmë nuk po kupton në ka ngecur brenda këtyre pizhameve, apo ato i janë korkolepsur deri edhe në qafë…, ndaj edhe po mundohet të çlirohet prej tyre.
Sondazhet që penglënien e Edi Ramës te pizhamet e Vangjel Ndrekos, e klasifikonin si ngritjen e siparit të radhës për humbjen e radhës, kanë bërë që kreu i PS-së “ti thërrasë mendjes” dhe bllokimin e integrimit, të shndërruar në boomerang, të përpiqet ta modifikojë me shpresën se mund të modifikojë edhe imazhin e tij. Në funksion të kësaj, ai ka dhënë fjalën se do t’i votojë tre ligjet e kërkuara nga Brukseli, Uashingtoni, apo edhe Ilir Meta… dhe jo vetëm.
Por Edi Rama që për tre vjet rresht “ngulte këmbë si mushka”, duke thënë “s’du…, s’du…, s’du…, ti votojë tre ligjet”, i ka bërë “hesapet pa hanxhinë”…
Dhe kur, tani që “i ka ardhur veza…”.
Ngritja e barrikadës nga Edi Rama, kryetari i opozitës, nuk mund ta fshehë mbajtjen peng të vendit për 3 vjet rresht. Kjo tentativë më e fundit dëshpëruese e Edi Ramës, nuk mund ta shndërrojë me një votë “pro” (pas 3 vjet pengmarrje), aspiratën mbarëshqiptare për integrim në Evropë, në një shitje, apo pazar, që gjithsesi nuk po i jep asnjë shpresë skalionit bolshevik të ish-Bllokut për rikthimin e mundshëm në pushtet. Çdo frut ka kohën e tij të pjekjes, e të të shijuarit. Edi Rama, të cilit gjatë këtyre tre vjetëve “dimër”, frutat që kërkon të shijojë tani i dukeshin aguridhe, ndaj edhe kishte zgjedhur “të rrinte ngrohtë” te pizhamet e Vangjel Ndrekos, kujtohet pas sondazheve më të fundit të prag zgjedhjeve të radhës, që “të ftillohet” dhe se duhet të bëjë çfarë të jetë e mundur, për tu çliruar nga ato dreq pizhame…, qoftë edhe duke pranuar të lëpijë, çfarë ka pështyrë e vjellë për tre vjet rresht…
Por numërimi mbrapsht ka filluar, ndaj edhe koha nuk mjafton…

 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›