Papa Françesku përkujton 86 vjetorin e Benediktit XVI, Papës së Nderit
Papa Françesku ia kushtoi meshën e mëngjesit të djeshëm Benediktit XVI, në 86-vjetorin e ditëlindjes, por foli edhe për Koncilin II të Vatikanit, vepër e Shpirtit Shenjt. Më pas, i telefonoi Papës së nderit për urimet e rastit, duke përshëndetur edhe vëllain, imzot Georg Racinger, i cili ndodhet prej disa ditësh në rezidencën papnore të Kastelgandolfos, edhe për të festuar familjarisht ditëlindjen e Benediktit XVI.
Por të kthehemi tek mesha e mëngjesit. Në kapelën e Shtëpisë së Shën Martës, në praninë e disa punonjësve të Guvernatoratit, Ati i Shenjtë i bëri urimet e tij të përzemërta Papës së nderit, Jozef Racinger: “E ofrojmë meshën për të, që Zoti t’i qëndrojë afër, t’i japë paqe e shumë ngushëllim”.
Gjatë homelisë, Papa Françesku komentoi leximin e parë të liturgjisë së sotme. Flitet për martirizimin e Shën Shtjefnit, i cili para se të vritej me gurë kumton Ngjalljen e Krishtit, duke i paralajmëruar të pranishmit, me fjalët: “Kokëfortë! Ju kundërshtoni gjithmonë Shpirtin Shenjt”. Shën Shtjefni, tha Papa, na kujton persekutimin e profetëve, të cilët, pasi i kanë vrarë, u kanë ndërtuar “një varr të bukur” e vetëm më vonë, i kanë nderuar. Edhe Jezusi, kujtoi Ati i Shenjtë, i qorton dishepujt e Emausit, duke u thënë se nuk ua shpërblen zemra të besojnë në fjalët e profetëve. Gjithnjë, vërejti Papa Bergolio, ekziston, edhe ndërmjet nesh, një farë kundërshtimi ndaj Shpirtit të Shenjtë: “Për ta thënë qartë: Shpirti i Shenjtë na jep bezdi. Sepse na bën të lëvizim, të ecim, e shtyn Kishën përpara. E ne jemi si Pjetri gjatë Shndërrimit të Krishtit: ‘Ah, sa bukur të rrimë kështu, të gjithë bashkë!’… por të mos na bezdisë. Duam që Shpirti Shenjt të na verë në gjumë…duam ta zbusim Shpirtin Shenjt. E kështu nuk shkon! Sepse Ai është Zoti, Ai është era, që shkon e vjen e ne nuk e dimë nga e ku. Është forca e Zotit, që na jep ngushëllimin e fuqinë për të ecur përpara. Por: duhet shkuar përpara! Kjo na jep bezdi. Rehati është më i bukur”.
Sot, vazhdoi Papa Françesku, duket se jemi të gjithë të kënaqur për praninë e Shpirtit Shenjt, por nuk është e vërtetë. Ky tundim ekziston edhe sot. E Ati i Shenjtë i ftoi të pranishmit të mendojnë për Koncilin II të Vatikanit, duke e marrë si shembull: “Koncili qe një vepër e bukur e Shpirtit Shenjt. Mendoni për Papën Gjoni XXIII: dukej si një famullitar i mirë e ai iu bind Shpirtit Shenjt e bëri atë, që bëri. Por 50 vjet më vonë, a kemi bërë ne gjithçka na tha Shpirti Shenjt gjatë Koncilit? Në atë vazhdimësi në zhvillimin e Kishës, që ishte Koncili? Jo. E festojmë përvjetorin e tij, i ngremë një monument, por ama, të mos na bezdisë. Nuk duam të ndryshojmë. Madje edhe më tepër: ka zëra, që duan të kthehen mbrapa. Kjo do të thotë të jemi ‘kokëfortë’, kjo quhet ‘të duash ta zbusësh Shpirtin Shenjt’, kjo e ka emrin ‘të bëhemi të pamend e të pazemër’”.
Kështu ndodh edhe në jetën e përditshme, tha Papa. Shpirti i Zotit na nxit drejt një udhe më ungjillore, por ne i kundërshtojmë, duke harruar se vetëm Ai na bën të lirë, na jep lirinë, që kishte Jezusi, që kemi ne, si bij të Hyjit: “Mos i rezistoni Shpirtit Shenjt! Ky është hiri, që do të doja t’i kërkonim Zotit: të jemi të butë e ta pranojmë Shpirtin Shenjt, atë Shpirt, që vjen tek ne e na nxit të shkojmë përpara në udhën e shenjtërisë, në shenjtërinë kaq të bukur të Kishës. …Hirin që të jemi të butë ndaj veprimit të Shpirtit Shenjt. Ashtu qoftë”.
Benedikti XVI mbush 86 vjeç - Kujtimet e fëmijërisë: “Ishim një zemër e një shpirt i vetëm”/Benedikti XVI mbushi pra 86 vjeç. Siç dihet, Papa i nderit lindi në një qendër të vogël bavareze, që quhet Marktl am Inn, më 16 prill 1927. Atë ditë, kujton Jozef Racinger në një autobiografi të publikuar në vitet ’90, ishte e Shtuna e Madhe, e shton: “u pagëzova të nesërmen në mëngjes, me ujin e bekuar të natës së Pashkëve”. Për Papën e nderit, kjo ka qenë “shenjë paralajmëruese” e Zotit. Sot, po e kujtojmë fëmijërinë e Benediktit XVI, përmes fjalëve të tij, shqiptuar në Takimin Botëror të Familjeve, në Milano, më 2 qershorin e kaluar, duke iu përgjigjur pyetjeve të një vajze të vogël.
Jozef Racinger kujtoi me gëzim fëmijërinë e familjen, jeta e së cilës rrotullohej rreth së dielës, Ditës së Hyjit. Madje, e dila fillonte që të shtunën, kur i ati lexonte Ungjillin e së nesërmes e kështu, Jozefi e vëllai i tij, Georg, hynin në atmosferën e gëzueshme të liturgjisë të së dielës: “Të nesërmen shkonim në meshë. Shtëpia ime është afër Salsburgut, prandaj mesha shoqërohej me shumë muzikë – Moxart, Shubert, Hajdn – e kur fillonte ‘Kyrie’ dukej sikur hapej qielli. E natyrisht, kur ktheheshim në shtëpi, ishte e rëndësishme dreka, të gjithë bashkë”. Jozefit të vogël i pëlqente shumë muzika. Benedikti XVI kujtoi se si këndohej shpesh në familje, sepse i vëllai, drejtori i ardhshëm i korit të katedrales së Regensburgut, që i ri, kompozonte pjesë të shkurtra. Së bashku me muzikën, pasioni tjetër i familjes Racinger ishin shëtitjet nëpër shtigjet, me të cilat është shumë e pasur Bavaria: “Jetonim pranë një pylli e kështu shëtitja në pyll ishte diçka shumë e bukur: aventura, lojra etj.. Me një fjalë, ishim një zemër e një shpirt i vetëm, me përvoja të përbashkëta, në kohë të vështira, sepse ishte kohë lufte, së pari kohë diktature, pastaj, varfërie”. Benedikti XVI nënvizoi dashurinë e ndërsjelltë në familje. Një dashuri e fuqishme, që të gëzon edhe për gjërat më të thjeshta, duke të ndihmuar të kapërcesh sprovat më të vështira: “Më duket se kjo ishte shumë e rëndësishme: edhe gjërat e vogla na sillnin gëzim, sepse kështu shprehej zemra e tjetrit”. E kështu, shtoi Papa i nderit, jemi rritur me sigurinë se është mirë të jesh njeri, pasi e shihnim mirësinë e Zotit të pasqyruar në prindërit e vëllezërit. Kaq shumë i pëlqen fëmijëria e tij, sa duke folur me vajzën e vogël në Takimin e Milanos, Benedikti XVI imagjinoi se ishte si Parajsa: “Kështu, në këtë atmosferë besimi, gëzimi e dashurie, ishim të lumtur e mendoj se Parajsa duhet të jetë diçka e ngjashme me rininë time. Në këtë kuptim, shpresoj të kthehem ‘në shtëpi’, kur të shkoj ‘në anën e përtejme të botës’”.