E Shtunë, 31 Tetor 2026

Largim me çdo kusht i Doktorit

Ermal Rexhepi/Qytetar

-Ka një lajm të mirë: kësaj here Saliun nuk ka Podesta që e mban dot më në pushtet! Bashkimi PS-LSI e shtrëngon morsën rreth Berishës. Nëse në zgjedhjet e 2009 apo të 2011 “Sulltani i Kuq”, manipulimin elektoral e justifikonte me të paturin në gjirin e tij edhe mbështetjen e votave të majta, pra një përkrahje popullore që e kapërcente 50+1, kësaj here nuk do të ketë mekanizëm industrial vjedhjesh që do të mund ta shpëtojë. Historia na mëson se falë aftësive të tij grabitqare, Saliu mund t’i fitojë zgjedhjet edhe duke patur thuajse të gjithë popullin kundër, por gjithashtu kalendat greke na mësojnë se po një gjë e tillë do të shënonte në mënyrë të pashmangshme fundin e tij, ashtu sikurse në vitin e mbrapshtë 1996; me ndryshimin e madh se kësaj here Doktori do të zhdukej për gjithnjë. E parë në këtë kontekst, bashkimi parazgjedhor i së majtës, merr nuancat e një akti sublim atdhetar dhe jo i një makiavelizmi të rëndomtë, sikurse socialistët e hekurt orvaten ta shohin. “Ai” do të bëjë atë që ka bërë gjithnjë dhe për të cilën është i specializuar: do t’i shtrijë duart mbi votat e shqiptarëve, do t’i shqyejë kutitë e votimit dhe në këtë është e vështirë ta ndalësh, sepse për ta bërë duhet të jesh po aq barbar sa ai. Këtë tendencë manipuluese mund ta vëresh te përpëlitjet për të shtënë në dorë anëtarët e LSI-së në KQZ, përmes disa piruetash ligjore, të pambështetura në bazë ligjore. Kjo fare mirë mund të cilësohet si kënga e fundit e mjellmës, sepse tashmë Berisha është i ngujuar në kullën kryeministrore nga veprimet e tij dhe prekja e votës së lirë të shqiptarëve, nuk e saldon në pozitat e tij, por përkundrazi, e shtyn drejt një udhe të paprecedentë në politikën shqiptare: atë të azilit, nën shembullin e Betino Kraksit. Ndaj në këtë optikë, nëse është e vërtetë që ka ndihmuar rebelët Libianë me armë, të paktën e ka siguruar një vend ku t’i shpëtojë drejtësisë, në pritje që drejtësia shqiptare të mbërrijë edhe atje falë ndonjë traktati dypalësh që të bëjë të mundur ekstradimin e shtetasve të të dy vendeve, që kanë kryer krime në vendet përkatëse. Por në rast se i ka shërbyer Gedafit, gjë e cila është më e mundur, duke qenë se e thotë OKB, nuk ka Imam që e shpëton, jo vetëm në Shqipëri, por as në Libi apo ndonjë vend islamik të afërt. E nëse kalasë së madhe anti-regjim do t’i bashkohet edhe Aleanca Kuqezi, e më pas edhe FRD e Bamir Topit, kjo përtej kalkulimeve personale politike, do të mbartë vetëm një mesazh të kristaltë në vetvete: izolimin e berishizmit, ndaljen e kësaj të keqe të madhe, për të çliruar Shqipërinë nga thundra e diktatorit të fundit në Europë. Në ditët e sotme një gjë e tillë është kthyer në një obligim qytetar të cilitdo individ dhe kjo e mirë për Atdheun është më e rëndësishme se sa të kesh një deputet në Parlament, apo një ministër në Qeveri. Nëse arrin t’i bësh të dyja, aq më mirë, por në rast se nuk përmbush dot nevojën politike, nuk mund të heqësh kurrsesi dorë nga detyra kombëtare, çka është fija e fundit e shpresës për të treguar se në Shqipëri ka ende moral dhe se ky model është i vetmi dhe më efikasi që mund të përballet dhe të triumfojë ndaj së keqes. Beteja vazhdon derë më derë, pallat më pallat, për t’i dhënë shpresë çdo qytetari të trembur nga diktatura e Saliut.


Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›