E Shtunë, 31 Tetor 2026

Papandreu: Po hetojmë rolin e bankave amerikane në krizën e borxheve

Greqi

Në një intervistë të dhënë për CNN, Kryeministri grek, Papandreu, tha se vendi i tij do të hetojë se cili ka qenë roli i bankave amerikane të investimeve në krizën e borxheve greke që tronditi besimin në ekonomitë e Eurozonës. “Ne kemi nisur një hetim parlamentar në Greqi për të parë me sy kritik në të kaluarën dhe mënyrën se si dhe pse gjërat shkuan në drejtimin e gabuar. Po ashtu ne duam të zbulojmë se cilat nga praktikat e ndjekura ishte negative. Investigime të tilla po zhvillohen edhe në vende të tjera dhe në SHBA. Kam dëgjuar fjalët krim dhe mungesë transparence. Mund të them se këtu ka përgjegjësi të madhe”. Pyetjes se nëse do të ndërmerrte ndonjë nismë ligjore kundër bankave amerikane, ai iu përgjigj: “Unë nuk e përjashtoj mundësinë që edhe ky mund të jetë një opsion”. Ai tha se ky vendim do të merret pasi Parlamenti të ketë hetuar mbi shkaqet e krizës. Akuzat më të forta Papandreu i drejtoi kundër “Goldman Sachs” dhe JP MOrgan”. Bashkimi Europian dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar kanë aprovuar një paketë prej 110 miliardë eurosh për shpëtimin e Greqisë nga falimentimi dhe situata e rëndë ekonomike. E vetme, Athina nuk mund t’ia dilte dot dhe vendi rrezikonte fundosjen si pasojë e krizës. Nga ana tjetër, Partia Socialiste greke, PASOK, që aktualisht po drejton vendin, vazhdon të jetë më e favorizuara në spektrin politik në vend me 45 për qind. Pas një sondazhi të kryer kohët e fundit, kur vendi është përfshirë nga një krizë e thellë ekonomike, Papandreu vazhdon të shihet si shpëtimtari i vendit, edhe pse mbështetja ndaj tij nuk është e njëjtë me atë të zgjedhjeve. Pavarësisht krizës financiare, Partia Socialiste në pushtet (PASOK) ngelet shumë e favorizuar nga zgjedhësit grekë, por ka rënë besimi në kapacitetet e qeverisë së Papandreut për ta kaluar e vetme krizën. Kështu tregojnë sondazhet e publikuara të dielën, sipas të cilave është rritur forca e Partisë Komuniste në radhë të parë kundër planit të shpëtimit nga kriza ekonomike. Sondazhi i organizuar nga shoqëria “Public Issue” për të përditshmen konservatore Kathimerini, ka nxjerrë se “pesha elektorale” e PASOK është në shifrën 45 për qind (më e lartë se 43,9 për qind të votave me të cilat fitoi zgjedhjet e tetorit të kaluar) kundrejt 27 për qind të Demokracisë së Re të ish-kryeministrit Kosta Karamalis (që në zgjedhje mori 33.4 për qind). Në rritje është e majta, sidomos Partia Komuniste, gjithmonë e para në grevat kundër planit për shpëtimin nga falimentimi, që regjistron një shifër 10 për qind kundrejt 7.5 për qind të votave të marra në tetor. Edhe sondazhet e publikuara nga e përditshmja socialiste “Ethnos” dhe e përjavshmja “Proto Thema” tregojnë se për sa i përket i përket votimeve, PASOK ka shumë mbështetës në krahasim me Demokracinë e Re. Sondazhi i “Pubblic Issues” për “Kathimerini” tregon se nëse mbështetja për PASOK-un ekziston ende, është ulur ndjeshëm besimi te qeveria që tashmë shkon në kuotën e 20 përqindëshit me 9 pikë më pak se sondazhi i kaluar. Ndërkaq besimi se Demokracia e Re mund të jetë parti që mund të kthehet sërish në pushtet është 4 për qind. Sipas “Public Issue”, gjysma e grekëve donin një qeveri koalicioni, duke e quajtur këtë mënyrën më të mirë për të përballuar krizën, ndërsa për 49 për qind mund të jenë të pashmangshme zgjedhjet e parakohshme.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›