Ekspozitë fotografike e Baxhakut në Berlin
Një rrugë quhet e tillë, sepse shërben për të të çuar diku, e ndërkohë ajo çka ti mund të bësh është ta shijosh dhe të mbartësh me vete mbresa. Kjo vlen për çdo lloj rrugëtimi, qoftë edhe për atë që bëjmë përditë nga puna në shtëpi, por kur bëhet fjalë për një rrugëtim të shtrirë në kohë, vise e njerëz, sigurisht që mbresat janë shumë më të mëdha dhe të shprehura në forma të ndryshme përmes fjalës, por edhe përmes imazheve.
Fatos Baxhaku ka vite që udhëton aty ku ndoshta nuk të çojnë dot as rrugët, nëpër vende që rrallëkujt, veç atyre që kanë familjarët, u takon t’i shohin. Zona të izoluara nëpër ngërçe malesh, fshatra gjysmë të braktisur buzë luginave të lumenjve, komunitete në thellësitë e malësive, por edhe krahina, a qytete ku pavarësisht gjithçkaje ka shumë jetë, edhe pse shpesh një jetë të vështirë në kufijtë e së pamundurës. Pikërisht kjo jetë, por edhe konteksti ku ajo zhvillohet, i kanë tërhequr vëmendjen Baxhakut, duke e nxitur për ta ruajtur dhe përcjellë, përveçse përmes reportazheve, edhe përmes fotove. Prej vitesh aparati i tij ruan pamje të një Shqipërie të panjohur, të cilën pakkush ka rastin ta shëtisë pëllëmbë për pëllëmbë. Një pjesë e mirë e këtyre fotove janë pjesë e ciklit të reportazheve të përjavshme të Baxhakut për gazetën “Shqip”, “Afër dhe Larg” dhe mes tyre ai përzgjodhi 93 copë për t’i bërë tashmë pjesë të një tjetër rrugëtimi. Nga Shqipëria fotot kanë marrë rrugën e Berlinit, duke u vendosur në qendër të vëmendjes së një ekspozite shumë të veçantë, në një sallë po të veçantë të kryeqytetit gjerman. Ideja fillestare e kësaj ekspozite i lindi Xhusepe de Siati, italo-gjermanit, që është një nga njohësit dhe përkthyesit më të mirë të shqipes. Gjatë një prej udhëtimeve të tij në Shqipëri i ra në dorë libri “Gur” i Baxhakut dhe teksa shihte fotot ilustruese e kuptoi se sa interes do të ngjallnin ato për publikun berlinez. Kështu, në fillim të majit fotot e kësaj Shqipërie të panjohur u zhvendosën në një nga sallat më tradicionale berlineze, ku tradicionalisht që prej viteve ’20 të shekullit të kaluar janë organizuar takime, lexime, biseda e ekspozita të njerëzve të shquar të letrave, artit e filozofisë gjermane. Salla me emrin tipik “Qilari i librashitësve” ishte edhe vendi ku veç ekspozitës, e cila do të qëndrojë e çelur për një muaj rresht, u zhvillua edhe një takim mes autorit të fotove dhe të ftuarve, mes të cilëve artdashës, albanologë, apo shqiptarë me banim në Berlin. Për Baxhakun ky ishte një takim tipik në stilin e takimeve tradicionale që janë zhvilluar aty, pra një ndërthurje e bashkëbisedimit të autorit me të pranishmit, me komente, lexime të veprave të tij, në këtë rast të disa pjesëve të përkthyera në gjermanisht të ciklit “Ceni” të Baxhakut, që u lexuan nga një aktor gjerman.
Për sa u përket fotove ato u përzgjodhën duke pasur parasysh edhe vetë mënyrën se si janë fokusuar, pra atë të fotove që i përkasin një udhëtimi nga veriu në jug, ku peizazhi dhe copëzat e jetës ndërthuren me portretet e njerëzve, me sytë, vështrimet, buzëqeshjet apo trishtimin e tyre. “Kur mbaruam së vendosuri fotot në murin e ekspozitës i hodha një vështrim nga dritarja sheshit që shtrihej përtej saj. Gjithçka që më zinte syri ishte rregulli, gjelbërimi, një përkujdesje e dukshme dhe skrupuloze për traditën, vlerat e së shkuarës, por edhe respekt për mendësitë dhe qasjet e reja. Fotot që kisha sjellë ishin krejtësisht një tjetër realitet, shpresa e të cilit, me aq sa unë kisha arritur ta njihja pas kaq vitesh rrugëtimi, qëndronte e paprekur dhe e gjallë në sytë e të gjithëve”, thotë Baxhaku i sapokthyer nga Berlini dhe që po përgatitet për reportazhin e radhës në gazetën “Shqip”.
#