Papandreu, njeriu që do ta shpëtojë Greqinë?
I pari ishte Xhorxhi, një centrist pragmatist, që e ndihmoi Greqinë të dilte nga pushtimi nazist. Më pas erdhi i biri i tij, gjaknxehti Andreas, një lider plot të meta, por gjithsesi karizmatik, që ndihmoi në demokratizimin e nepotizmit dhe të korrupsionit. Tani është radha e Xhorxhit, djalit të madh të Andreasit. Papandreu 57-vjeçar, që u zgjodh Kryeministër i vendit tetorin e kaluar, në përfundim të zgjedhjeve presidenciale, i ka kaluar 6 muajt e parë në detyrë në përpjekje për të shpëtuar vendin e tij, Greqinë, nga falimentimi dhe ndërmarrja e reformave të rrepta fiskale. Ai është një person që duket me këmbë në tokë dhe ka një të folur të qetë. Në tryezën e punës mban gjithmonë hapur një kompjuter personal “Apple”, për të udhëtuar përdor një “Toyota Prius” dhe në sfond të zyrës nuk mund të mos vësh re një bibliotekë me libra lëkure, të cilët janë shenja të vogla por të qarta të mënyrës se si ai po përpiqet që ta shkundë botën e mykur të politikës greke. “Unë besoj se brenda pak vitesh ne të gjithë do të jemi krenarë të pohojmë se kaluam një periudhë të vështirë, prej së cilës doli një Greqi krejt ndryshe nga ajo e para krizës”, thotë Xhorxhi. Por për të arritur në këtë ditë, Papandreu e di mirë që do t’i duhet të ndryshojë kulturën e nepotizmit dhe ryshfeteve që kanë kalbur të majtën dhe vetë partinë e tij. “Gjëja e parë që duhet të bëjmë është të ndryshojmë vetveten”, deklaroi Papandreu para elektoratit të majtë, kur mori në dorë drejtimin e PASOK-ut në vitin 2004. Po a është Papandreu njeriu i duhur për ta ndryshuar Greqinë dhe PASOK-un në shekullin XXI? Ai mund të mbajë një mbiemër të rëndësishëm dhe të famshëm, por vetë Papandreu nuk është gatuar me të njëjtin brumë si pjesa më e madhe e politikanëve grekë. I rregullt dhe elegant në trup, Kryeministri i lindur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (e ëma e tij, Margaret, ishte nga Ilinoisi) ka jetuar në pjesën më të madhe të jetës në mërgim me të atin, në Shtetet e Bashkuara, Kanada dhe Suedi. Ai e flet anglishten me një theks të qetë dhe i përdor idiomat amerikane në mënyrë perfekte. Për sa i përket greqishtes, ai është gjithashtu shumë i saktë, por nuk ka ndonjë oratori të jashtëzakonshme, ndryshe nga ideja mbizotëruese në vendin e tij, se një politikan i suksesshëm duhet të dominojë para turmave të njerëzve me retorikën e tij bombastike. Shtypi grek ka raste që e “tall” Kryeministrin për gabimet gramatike që bën në të folur. Papandreu ka më shumë kënaqësi të flasë për çështjet e të drejtave të njeriut dhe ato të ambientit, se sa për problemet ekonomike. Disa ditë më parë, pas kthimit nga Brukseli me një marrëveshje nga vendet e BE-së, sipas së cilës Greqia do të ndihmohet financiarisht në rast se çdo përpjekje tjetër vetjake e saj do të dështojë, ai mori biçikletën dhe bëri një udhëtim të gjatë, që për të është një nga gjërat më çlodhëse pas momenteve të ngarkuara. “Papandreu nuk ka aftësinë e frymëzimit të masave, siç bënte i ati, por kjo mund të konsiderohet një shenjë maturie në sytë e publikut grek”. Tjot Stan Daenos, një akademik grek, ka shkruar një biografi për Andreas Papandreos, me titull “Epoka e heronjve ka marrë fund”, libër që pritet të dalë së afërmi në librari. Grekët e përshkruajnë Kryeministrin e ri me fjalë të tilla si “njerëzor” dhe “i përmbajtur”. Në botën brutale të politikës greke, megjithatë, këto fjalë nuk konsiderohen gjithmonë si komplimente. Pavarësisht se PASOK korri një fitore shumë të madhe në zgjedhjet e fundit të përgjithshme, Papandreu ia detyron pjesën më të madhe të kësaj fitoreje vetëshkatërrimit të qeverisë së qendrës së djathtë të Karamanlisit dhe partisë së tij Demokracia e Re. Kundërshtarët e quajnë Xhorxhin me ironi “Jorgaqi” ose “Xhorxhi i vogël”.
Por Papandreu nuk është aspak për t’u nënvleftësuar. Me një natyrë prej diplomati ai ka befasuar shumë grekë, me mënyrën e shkathët të menaxhimit të krizës. Përvoja si ministër i Jashtëm e ka ndihmuar në përpjekjet e tij për të vazhduar bindjen e Europës se Athina është shumë serioze, kur bëhet fjalë për pastrimin dhe transparencën e financave të saj. “Tregjet gjatë gjithë kësaj kohe janë treguar mosbesues ndaj nesh. Greqia e ka humbur kredibilitetin dhe unë dua që Greqisë t’i rikthehet kredibiliteti i humbur”, thotë Papandreu. “Ka një koncept që e konsideron politikën si një lojë të ndryrë. është një lojë e vështirë, por nuk ka përse të jetë e ndryrë”, vazhdon Papandreu. “Njerëzit ka kohë që po na thonë se kanë nevojë për një ndryshim, se kanë nevojë për një shtet tjetër. Ne duam që ta luftojmë korrupsionin”.
PASOK-u që drejtonte babai i tij ishte një parti e mbushur me luajalistë, ndërsa partia aktuale e Xhorxhit është një parti shumëgjuhëshe, urbane, me njerëz si Tina Birbili, ministrja e re e Mjedisit, që vjen në mbledhjet e kabinetit me xhinse dhe me çantë shpine. Por të ndryshosh Greqinë nuk është aspak e lehtë. Papandreu po nxit dhe po bën përpara me reformën e pensioneve dhe reformat e tjera që parashikojnë një shtim të taksave. Por jo rrallë ai kundërshtohet edhe nga kolegët e tij socialistë. I tillë është rasti i njërës prej përpjekjeve të tij për të përmirësuar qeverisjen. Papandreu kërkon që të hedhë në internet të gjitha vendimet dhe dokumentet e qeverisë, por një gjë e tillë ka hasur në kundërshtimin e socialistëve brenda partisë. Ai e di dhe e shpreh se ndryshimi do të jetë i dhimbshëm. “Por nëse do të bëjmë atë që është e nevojshme, do të dalim nga kjo situatë më të fortë dhe më të shëndetshëm”, thotë Kryeministri. “Ne nuk i kemi në ADN këto probleme, pra gjithçka mund të ndryshojë”, vazhdon Papandreu. Dëshira e tij është që ta shohë Greqinë të shndërrohet në një Suedi të Mesdheut, që përdor fuqishëm energjinë e gjelbër dhe turizmin. Sipas tij, është plotësisht i mundur kombinimi mes një ekonomie të fortë dhe të shndritshme, dhe një sistemi shumë bujar të ndihmës sociale. Pavarësisht vështirësive me të cilat është përballur në 6 muajt, që kur ka marrë postin e Kryeministrit, Papandreu mbetet optimist, por kohët e vështira janë ende larg fundit.
#