Papastërtia e spitalit, del në shitje
Disa prej shërbimeve të qendrës spitalore universitare, “Nënë Tereza”, do të përshkruheshin të organizuara si kuti shkrepëseje, të pastra si farmaci, me higjienë maksimale. Pavijone të tjera, korridore, shërbime e dhoma të caktuara janë të papastra aq sa mund të ngatërrosh shërbimin e spitalit me një tjetër mjedis. Një pjesë e pastrimit dhe gjelbërimit të ambienteve të qendrës spitalore universitare, “Nënë Tereza”, është privatizuar, ndërkohë që për pjesën e pastrimit brenda spitalit është folur disa herë, por deri tani ka mbetur e njëjtë.
Vitin e kaluar u premtua se ky shërbim, bashkë me djegësin e madh të mbeturinave spitalore, do të pësonin ndryshime e përmirësime të mëdha. Ndërsa këto projekte mbetën në fazën e diskutimeve, sipas prioriteteve të vitit 2010 të administratës “Nënë Tereza”, renditen në listë dy privatizime të mëdha: pastrimi, si dhe mirëmbajtja e restaurimi i disa shërbimeve imazherike, pajisjeve ekzaminuese, trajtuese.
Pastrimi“Lidhur me pastrimin e territorit të QSUT-së, ne sot jemi duke menduar për një outsorsing, veprimtari të tilla që janë shumë pranë mjekësisë, siç janë imazheria dhe laboratori. Imagjinojini këta elementë spitalorë që janë më larg”, sqaroi drejtori i qendrës spitalore universitare, “Nënë Tereza”, Ilir Dashi.
Sipas tij, çdo institucion ka nevojë për pastrim, ndaj qendra spitalore “Nënë Tereza”, në vazhdimësi të kontraktimeve të shitjeve të shërbimeve, siç është hoteleria dhe ushqimi, do të kërkohet edhe shitja e shërbimit të pastrimit.
“Deri më sot unë e kam gjetur këtë shërbim të kontraktuar me një firmë të tretë, por kjo marrëveshje është e mangët, vetëm për territorin e jashtëm dhe aty ku ne kemi shumë nevojë, niveli i higjienës në shërbime dhe spitale, nuk ka kontratë. është e sigurt që në vitin 2010, mbas mbarimit të periudhave të kontratave shtesë, deri në prokurimin e ardhshëm, ku ky i fundit do të jetë për të gjitha pjesët e QSUT-së, si jashtë ashtu edhe brenda”, sqaroi Dashi. Sipas tij, pjesa e kontrollit do të jetë në vëmendje të madhe, sepse të kontraktosh me një firmë të huaj një shërbim, vërtet është lehtësi, por nga ana tjetër të nxjerr një detyrë të kontrolluar, në mënyrë që të marrësh shërbimin e duhur për paratë që ke paguar.
KoncesionetPrivatizimi apo koncesioni është një formë e njohur për shërbimet teknike edhe në spitalin “Nënë Tereza”. Deri tani janë privatizuar disa shërbime, si ai i hotelerisë, i pastrim-gjelbërimit, për pjesën e jashtme të spitalit. është privatizuar shërbimi i ushqimit, paketimi, shpërndarja dhe paketimi. Të gjitha procedurat kanë qenë pjesë e këtij mekanizmi.
Forma të tjera të privatizimit apo koncesionit do të jenë prioritet për sistemimin dhe përmirësimin e shërbimit spitalor, në mënyrë të veçantë të shërbimeve teknike edhe për vitin 2010.
Sipas planeve dhe projekteve, pastrimi, higjienizimi dhe ambienti i sterilizuar do t’i jepen privatit për të dhënë gjithçka që deri më sot nuk ka arritur ta bëjë sistemi shtetëror.
#