Akademikët do të raportojnë te Kryeministri
I ëmbël në fillim, por i hidhur në fund. Kështu mund të cilësohen ndryshimet e përgatitura nga ana e qeverisë lidhur me Akademinë e Shkencave, dikur institucion i pavarur. Pas shpërblimeve për titujt shkencorë, vijnë edhe shtrëngimet për funksionimin e akademisë. Kështu, drejtuesit e këtij institucioni tanimë do të duhet që në çdo mbyllje viti të raportojnë pranë Kryeministrit për detyrat dhe realizimet e tyre. Dhe e gjitha kjo në emër të së ashtuquajturës reformë shkencore, që duket se edhe në këtë rast do të menaxhohet nga vetë Kryeministri.
VarësiaNë komisionet parlamentare ka mbërritur për diskutim edhe projektligji për disa shtesa në ligjin “Për Akademinë e Shkencave të Republikës së Shqipërisë”. Në relacionin që shpjegon ndryshimet që do të pësojë ligji ekzistues për Akademinë shqiptare të Shkencave në fund thuhet se: “Në këtë projektligj parashikohet gjithashtu dorëzimi i raportit vjetor të veprimtarisë së Akademisë së Shkencave deri më datën 15 dhjetor të çdo viti kalendarik, në kabinetin e Kryeministrit”.
Kjo është justifikuar me pretendimin se “propozimi i këtij projektligji do të plotësojë kërkesat e akademikëve, me synim garantimin e cilësisë e të standardeve në kërkimin shkencor”.
Ndaj menjëherë pas miratimit të këtij ligji nga Kuvendi i Shqipërisë dhe botimit të tij në Fletoren Zyrtare do të bëhet i detyrueshëm raportimi vjetor i akademikëve pranë zyrës së kreut të qeverisë.
Lajmi i mirë, që duket se ka joshur akademikët, sidomos ata afër moshës së pensionit, është që do të përfitojnë shpërblime të gjithë ata anëtarë, të cilët mbajnë titullin “Akademik i Asociuar”, që më parë nuk janë trajtuar financiarisht. Kështu në relacion thuhet se: Titulli “Akademik i Asociuar” emërtuar si titull shkencor në ligjin e Akademisë së Shkencave nuk është vlerësuar financiarisht në asnjë rast. Në këto kushte propozohet amendimi i këtij ligji, i cili parashikon përfitimin e një shpërblimi suplementar edhe për këtë kategori, i cili do t’i përgjigjet trajtimit të barabartë me titujt e tjerë shkencorë dhe shkallës akademike që ata përfaqësojnë.
ShpërbërjaAkademia e Shkencave, aktualisht, ka përfunduar si një strukturë mjaft e cunguar, ku pjesa kryesore e saj mbetet administrata me kryetarin dhe sekretarin e përgjithshëm. Kjo, pas shkrirjes së instituteve të saj dhe krijimit të disa qendrave shkencore që do t’u bashkëngjiteshin universiteteve. Organi më aktiv i Akademisë shqiptare të Shkencave mbetet Asambleja e saj, në të cilën janë zgjedhur përfaqësues të fushave të ndryshme të shkencës. Ata zgjedhin përmes votimit të fshehtë edhe kryetarin e Akademisë. Nga ana tjetër, reforma shkencore është zhvendosur në drejtim të Ministrisë së Arsimit, e cila përcakton edhe politikat apo orientimet në këtë fushë, si dhe bën publike programet europiane ku mund të aplikojnë shkencëtarët shqiptarë.
#