Papulias dënon thirrjet raciste të ushtarëve grekë
Presidenti i Greqisë, Karolos Papulias, megjithëse shfaqet herë pas here me velin e nacionalistit, nuk ka ngurruar që të dënojë aktin më të fundit të disa ushtarëve grekë që me këngë raciste antishqiptare marshuan në ditën e pavarësisë së Greqisë. Patriotizmi i vërtetë nuk është tek ato parulla, - tha z. Papulias duke iu referuar fjalëve: Grek je, grek nuk bëhesh, gjakun tënd do derdhim, derr shqiptar si dhe thirrjes tjetër skandaloze: Ata janë shkupjanë, ata janë shqiptarë, rrobat e mia do qep me lëkurën e tyre. Presidenti tha se patriotizmi i vërtetë nuk shprehet me parulla apo këngë gjoja patriotike dhe duke iu referuar Ditës së Eksodit grek tha: Ditët si kjo janë ofruar për një reflektim kolektiv mbi esencën e patriotizmit të vërtetë. Në këtë kuadër, z. Papulias vazhdoi: Patriotizmi nuk është retorikë apo parulla. Nuk është një produkt komunikimi dhe as fishekzjarr politik. Patriotizmi është vetëmohim për atdheun, pa marrë parasysh dhe pa pretendimin e pritjes së shpërblimit personal, kjo është dashuria për atdheun, - ka përfunduar z. Papulias.