E Diel, 1 Nëntor 2026

Papunësi rekord në eurozonë, rajoni rrezikon recesionin

Zyrë punësimi në Francë, eurozonë

Eurostati publikon raportin mujor, ekspertët: Politika zhvillimi, jo kursimi.

Papunësia në 17 vendet e eurozonës qëndron në shifrën rekord prej 11.4 për qind, duke shtuar rrezikun e rënies së rajonit në recesion.  Përpjekjet për të shlyet borxhet kanë sakrifikuar shumë vende pune. Ndërsa liderët europianë i kanë qetësuar tregjet gjatë muajve të fundit me premtime për prerjen e shpenzimeve dhe një unifikim më të fortë politik, problemet kryesore ekonomike nuk janë zgjidhur dhe papunësia vazhdon të rritet. Në gusht, në eurozonë kanë humbur vendet e punës 34 000 njerëz, sipas të dhënave të publikuara të hënën nga Eurostat, agjencia europiane e statistikave. Shkalla e papunësisë është më e larta që kur është themeluar eurozona (1999). Por, problemet e Europës rrezikojnë të hapen edhe në shkallë globale. Liderët botërore, si në SHBA, Kinë e shumë vende të tjera po u bëjnë gjithnjë e më shumë presion liderëve europianë që të zgjidhin krizën, pasi ekonomia mund të rrënohet në një reaksion zinxhir të lidhur nga marrëdhëniet tregtare. Eurozona është në rrezik të rrëshqitjes në recesion këtë vit, pasi ekonomia shënoi një rënie prej 0.2 për qind në tremujorin e dytë të vitit. Gjashtë vende të grupit: Greqia, Spanja, Italia, Qipro, Malta dhe Portugalia janë tashmë në recesion. Sipas analistëve, do të duhet të kalojë shumë kohë përpara se papunësia në eurozonë të stabilizohet, madje për vitin e ardhshëm ajo do të pësojë një rritje të re, duke shkuar në 12 për qind. Ndërkohë që masat e kursimit janë miratuar për të lehtësuar krizën financiare duke ulur borxhin publik, ato po ndikojnë gjithashtu në ngadalësimin e rritjes ekonomike, ndërsa shpenzimet e ekonomisë kanë rënë. Disa ekspertë prej kohësh po u bëjnë thirrje liderëve që në vend që të ulin shpenzimet, duhet të inkurajojnë rritjen. Greqia dhe Spanja kanë papunësinë më të lartë, me nga 25 për qind. Jo të gjitha vendet e kanë papunësinë në shifra kritike. Shkalla e papunësisë në Austri është 4.5 për qind, aspak problematike edhe pse ka shënuar rritje nga një vit më parë. Papunësia në Gjermani është 5.5 për qind dhe është përmirësuar.

Protesta në Francë
Mijëra protestues dolën dje në rrugët e Parisit për të kundërshtuar Marrëveshjen Fiskale të Bashkimit Europian, e cila kërkon respektimin rigoroz të kufirit të deficitit. Protesta u organizua nga Fronti i Majtë dhe komunistët. Qeveria e Francës ka shpallur buxhetin e vitit 2013, me të cilin synon ta reduktojë borxhin nëpërmjet rritjes së taksave dhe shkurtimeve të shpenzimeve. Protestuesit sqaruan se nuk ishin kundër qeverisë, por kundër masave të imponuara nga BE-ja.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›