E Shtunë, 31 Tetor 2026

Para piramidës do të ngrihet një obelisk në nderim e kujtim të viktimave të komunizmit

Qeveria vendos ngritjen e Institutit të Studimeve të Krimeve dhe pasojave të sistemit komunist në Shqipëri

TIRANE – Kreu i ekzekutivit shqiptar Sali Berisha paraqiti dje në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, projektligjin për krijimin e Institutit të studimeve të krimeve dhe pasojave të sistemit komunist në Shqipëri.
Berisha e cilësoi këtë iniciativë një përpjekje për të rikujtuar dhe për të mos harruar dhunën, vuajtjet dhe dhimbjen që ky sistem u shkaktoi shqiptarëve.
Duke iu referuar nenit 4 të këtij projektligji, kryeministri bëri të ditura detyrat kryesore që do të ketë ky Institut: Studion dhe vlerëson objektivisht periudhën e regjimit komunist. Identifikon aktet ligjore e nënligjore, sekrete dhe jo sekrete, të përgatitura apo të miratuara nga të gjitha institucionet; Studion dhe vlerëson objektivisht ndërtimin dhe organizimin institucional, si dhe veprimtarinë antidemokratike dhe kriminale të strukturave shtetërore të regjimit komunist, veçanërisht të organeve dhe strukturave të sigurisë së shtetit; Analizon shkaqet dhe rrugët e vendosjes së regjimit komunist, dokumente që vërtetojnë përfshirjen e personave shqiptarë, por edhe të huaj, që mbështetën ardhjen e këtij regjimi dhe të atyre që bënë rezistencë kundër tij, në rrafshin historik; Evidenton personat që kanë qenë pjesë e organeve apo autoriteteve vendimmarrëse përgjegjëse për propagandën komuniste; Të informojë publikun mbi krimet e rrjedhojat e tjera të luftës së klasave, të sistemojë dhe botojë kujtime e memorie të të dënuarve politikë në burgje dhe kampet e përqendrimit, të përpunojë në formë elektronike të gjithë dokumentacionin dhe krimet e regjimit komunist.
Gjithashtu qeveria miratoi projektligjin që i propozon parlamentit ngritjen e obeliskut në nderim të viktimave të sistemit komunist. Obelisku do të ngrihet para piramidës në Tiranë.
Në vijim kryeministri Berisha vuri në dukje se data 20 shkurt, do të shpallet me ligj dita e nderimit të viktimave të sistemit komunist.
Sipas kryeministrit ka pasur propozime të ndryshme për datën dhe një nga propozimet që ka ardhur nga shoqata e organizata të ndryshme është edhe data 20 shkurt. “Kjo është data e ngadhënjimit të atyre që patën kurajën të përmbysin realisht bustet e gjalla e vdekura të diktaturës”, u shpreh Berisha.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›