E Shtunë, 31 Tetor 2026

Uzina e Telave në Shkodër, një shembull si shpërdorohet një e drejtë koncesioni

Asnjë prej pikave të kontratës së gushtit 2004 nuk është respektuar nga firma “Yilmaz Kablo”. Punëtorët janë në grevë sot e kësaj dite, angazhimet për investimin e 10 milionë dollarëve brenda 5 viteve janë mohuar, teknologjia e re e uzinës është shpërdoruar e premtimi për rivënien në punë të uzinës së Rubikut është shndërruar në një betejë për t’i shitur pjesët e mbetura për skrap

Shpërdorimet e firmës që ka marrë në koncesion uzinën e Telave në Shkodër mund të merren fare mirë si një etalon të shkeljes kur autoritetet shtetërore duhet të ndërhyjnë, në mënyrë që dëmi të mos jetë aq i madh, sa të humbasim edhe vetë adresën industriale të Shkrodrës, por tashmë së bashku me koston sociale që do të shkaktojë një veprim i tillë. Shpërdorimi zë fill me epokën e qeverisjes së korrupsionit nanoist. Në mënyrë flagrante e duke përsëritur tre herë tenderat në mënyrë që firma e privilegjuar, e ashtuquajtura kompania turke “Yilmaz Kablo” arriti më në fund që në shkelje të çdo procedure të marrë në koncesion për 30 vjet Uzinën e Telave në Shkodër, duke ngurtësuar si garanci të fazës së parë të koncesionit, jo më shumë se 100 mijë dollarë, edhe pse një kompani konkurrente kishte ofruar të njëjtat kushte investimi, por duke ngurtësuar plot 1.6 milionë dollarë. Duke lënë mënjanë këtë shkelje flagrante të barazisë në tendera, të kryer nën tutorimin e Këshillit të Ministrave (drejtuar nga Fatos Nano), me 27 gusht 2005, thuajse 5 vjet më vonë, kur tashmë koncesionit i kanë kaluar stacionet e dy monitorimeve të para nga autoritetet shtetërore, e para gjë që të shkon në mendje janë pyetjet se si ka mundësi që një firmë kontraktore të jetë kaq e papërgjegjshme në përmbushjen e detyrimeve të veta dhe se si ende nuk ka një supervizim skualifikues nga ana e autoriteteve shtetërore.
Nga një investigim krejt i thjeshtë, informohesh për tkurrjen e Uzinës së Telave në një punishte të thjeshtë të standardeve skandaloze teknologjike. Interesimit për teknologjinë e re, që mund të themi se ishte e standardeve konkurruese në fund të vitit 1989, i përgjigjen me rrëfimin se ajo u çinstalua nga pronarët e rinj (pronarët e koncesionit, e jo të pasurisë kombëtare të shqiptarëve), për t’u transferuar në një destinacion tjetër, ku duket se kompania turke kishte interesa më parësore. Këtu mbetën rrangallat, e qysh këtu u regjistrua besëprerja e parë e investitorëve të mbështetur fuqimisht nga kryeministri i atëhershëm Fatos Nano, ministri Viktor Doda e zëvendësministri Arben Ahmetaj. Detyrimet e panegociueshme të firmës koncesionare, për të kryer brenda dy viteve të para, investimin prej një milionë dollarësh janë shkelur me të dyja këmbët. Po ashtu, edhe detyrimi për të mbajtur në punë personelin e gjendur nën kontraktim, në momentin e dhënies së koncesionit. Po të shkohet më tej me detyrimet e planit të investimeve, atë të 5,5 milionë dollarëve të vitit pasardhës e të pjesës së mbetur të angazhimit prej 10 milionë dollarësh, brenda 5 viteve të para të koncesionit, shkeljet s’kanë nevojë për koment e mund të spikasin, pa asnjë lloj burimi, teksa sheh shkretëtirën që zotëron sot në mjediset e ish-Uzinës së Telave, apo merr në duar protestat e shumta e grevat që kanë organizuar kohë pas kohe, punëtorët e mbetur nën koncesionin e turqve të “Yilmaz Kablo”-s. Sot e kësaj dite ata gjenden në grevë për kushte më të mira pune e për besëprerje (siç thonë ata), nga ana e punëdhënësve të rinj, e s’kërkojnë gjë tjetër veçse riparimin e menjëhershëm të marrëdhënies mes autoriteteve shtetërore e atyre të koncesionit, të cilat kanë degjeneruar në një zhvatje të pastër të pasurisë kombëtare prej biznesmenëve turq, që pa asnjë të drejtë po bëhen zengjinë, këtu ndër ne.
Hulumtimit të kontratës koncesionare të gushtit të 2004-s, mund t’i dalin dhjetëra shkelje të tjera flagrante, një nga të cilat spikat mbi të gjitha; ajo e angazhimit për të rikthyer në funksion industrinë e pasurimit të mineralit të bakrit në Rubik. Njoftimet e paradokohshme për çinstalimin e dy oxhakëve të uzinës dhe shitjes së pjesës së mbetur të teknologjisë për skrap janë mesazhi më i mirë se koncesionarët e ministrisë sonë të Ekonomisë, të lënë peshqesh prej qeverisjes 8-vjeçare të korrupsionit socialist kanë shkelur me të dyja këmbët e atyre u duhet treguar vendi. Kjo është kërkesa e parë e punëtorëve të mbetur nën “zengjinët” e rinj, por do të ishte fare mirë edhe një rikthim i drejtësisë së mohuar për ata konkurrentë të tjerë, të cilët u nëpërkëmbën e s’patën mundësi të tregonin as vlerat e tyre profesionale në biznes, por as nuk iu dha mundësia të ndihmonin popullatën në nevojë të Qarkut të Shkodrës.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›