E Diel, 1 Nëntor 2026

Sot në mbrëmje, Kryeministri Berisha mori pjesë në ceremoninë e organizuar me rastin e hyrjes së kompanisë së sigurimeve Sigal si pjesë e "UNIQA Group Austria", e cila është një prej grupe

Sot në mbrëmje, Kryeministri Berisha mori pjesë në ceremoninë e organizuar me rastin e hyrjes së kompanisë së sigurimeve Sigal si pjesë e "UNIQA Group Austria", e cila është një prej grupeve siguruese lider në Evropën Qendrore dhe Lindore.

Ky grup, me veprimtari veçanërisht në fushën e sigurimeve të jetës, shëndetit dhe pensioneve, ushtron aktivitetin e tij sigurues në 20 vende të Evropës, si Austri, Gjermani, Zvicër, Itali, Slloveni, Hungari,Çeki, Sllovaki, Poloni, Bullgari, Rumani, Kroaci, Serbi, Mali i Zi, Ukrainë, Bosnje-Hercegovinë, Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni. UNIQA administron mbi 20 miliardë euro asete.

Të pranishëm në këtë ceremoni ishin drejtues të Bordit të "UNIQA Group Austria", Presidenti i Fondit Shqiptaro Amerikan të Ndërmarrjeve, z. Michael Granoff, Drejtori i Përgjithshëm i Kompanisë Sigal z. Avni Ponari, përfaqësues të tjerë të kësaj kompanie, etj.

Kryeministri Berisha e vlerësoi këtë partneritet shumë të rëndësishëm dhe inkurajues, i cili hap perspektiva të mëdha për tregun e sigurimeve në Shqipëri. Gjithashtu, Kryeministri shprehu angazhimin e plotë të qeverisë për të përkrahur suksesin e investimeve të grupit UNIQA në Shqipëri, si dhe të grupeve të tjera të biznesit. Ai siguroi se qeveria po bën përpjekje të mëdha për ta shndërruar Shqipërinë në vendin më miqësor dhe tërheqës për investimet e huaja.

Më tej, në fjalën e tij përshëndetëse, Kryeministri u shpreh:
"Është privilegj i madh për mua t'ju përshëndes sot, përzemërsisht, në këtë moment historik për tregun e sigurimeve shqiptare. Kompania kryesore e sigurimeve të vendit bashkohet sot me njërin prej grupeve më të fuqishme të sigurimeve në Evropë, UNIQA. Ky është një bashkim shumë i rëndësishëm, shpresëdhënës, një bashkim i cili ngjall dhe hap perspektiva të mëdha për tregun e sigurimeve në Shqipëri, i cili në një hark kohor shumë të shkurtër, vetëm dy javor, përjeton 2 ngjarje shumë të mëdha, praninë e një prej grupeve të mëdha të Greqisë në fushën e sigurimeve dhe në fusha të tjera, si dhe hyrjen e UNIQA-s, këtij gjiganti, me një vlerë asetesh prej 22 miliardë euro.

UNIQA vjen në Shqipëri në traditën më të shkëlqyer të kompanive të mëdha austriake. Ato kanë krijuar në Shqipëri një emër shumë të mirë dhe janë bërë pjesë e përpjekjes së madhe të shqiptarëve për demokraci dhe ekonomi tregu. Ndër to, me respekt të madh unë dua të kujtoj ROGNER-in, Reiffeissen Bank dhe një seri të gjatë kompanish austriake që investojnë dhe do të investojnë në Shqipëri.

Qeveria i kushton një rëndësi të veçantë tregut të sigurimeve. Për të mbrojtur, për të promovuar, për të zhvilluar veprimtaritë tuaja, qeveria ngriti Autoritetin e pavarur të Mbikëqyrjes së tregut të sigurimeve, me një ligj realisht bashkëkohor. Ne shohim me kënaqësi progresin e këtij tregu, krahas tregut bankar, si dy zhvillimet më cilësore, më të rëndësishme të ekonomisë së tregut në Shqipëri. UNIQA-Sigal do të kenë një hapësirë të madhe investimesh në Shqipëri.

Qeveria po bën përpjekje të mëdha për të shndërruar Shqipërinë në vendin më miqësor dhe tërheqës për investimet e huaja. Nga fundi i këtij viti, ne do të jemi vendi i barrës fiskale më të ulët në Evropë. Por, ne po punojmë çdo ditë për të rrëzuar çdo pengesë burokratike që ekziston për investitorët vendas dhe të huaj. Kemi miratuar ligje të reja që lehtësojnë shumë procedurat e investimeve. Jemi angazhuar në një proces të gjerë privatizimesh të korporatave ekzistuese të vendit, por edhe të kompanisë së vetme të sigurimeve që ekziston. Jam shumë i lumtur që së shpejti do të privatizohet INSIG-u, duke i dhënë fund në këtë mënyrë çdo lloj interference të madhe apo të vogël, direkt apo indirekt, të qeverisë dhe shtetit në tregun e sigurimeve dhe, duke e bërë këtë treg më të lirë.

Edhe një herë, dua t'ju uroj shumë përzemërsisht dhe t'ju siguroj se qeveria do të bëjë çdo përpjekje për suksesin tuaj në Shqipëri, për suksesin e investimeve të grupit tuaj në Shqipëri dhe të grupeve të tjera të biznesit. Urimet më të mira"

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›