Paraditen e sotme, Kryeministri Berisha zhvilloi një vizitë në qytetin e Lezhës, gjatë së cilës përuroi dy objekte të rëndësishme, rrugën hyrëse të Lezhës, që lidh qytetin me autostrad
Paraditen e sotme, Kryeministri Berisha zhvilloi një vizitë në qytetin e Lezhës, gjatë së cilës përuroi dy objekte të rëndësishme, rrugën hyrëse të Lezhës, që lidh qytetin me autostradën dhe përfundimin e punimeve të fazës së parë për sistemimin e argjinaturës së lumit Drin.
Projekti për rrugën lidhëse autostradë-qyteti i Lezhës është financim i buxhetit të shtetit. Përmes këtij projekti është realizuar rikonstruksioni i segmentit rrugor nga degëzimi i Unazës Lezhë deri në kryqezimin me rrugën nacionale të re, Fushë Kruje–Lezhë, me një gjatësi prej 1.559 km, si dhe ndërtimin e nyjes lidhëse të këtij segmenti me rrugën e re.
Ky investim realizon lidhjen e qytetit Lezhë me rrugën nacionale të re dhe përmirëson në mënyrë të ndjeshme qarkullimin e automjeteve të mallrave dhe njerëzve, nga qyteti Lezhë dhe zonave përreth, në drejtim të Milotit, Shëngjinit dhe Veriut, duke shmangur në këtë mënyrë lëvizjen në brendësi të qytetit.
Duke vlerësuar punimet dhe standardet e ndërtimit të kësaj rruge, Kryeministri Berisha u shpreh: "Dëshiroj të përshëndes të gjithë qytetarët e Lezhës dhe ti përgëzoj e uroj ata për hyrjen moderne dhe të merituar të qytetit. Dua të falënderoj të gjithë punonjësit e kompanisë ndërtuese, që kanë bërë një punë të admirueshme dhe të cilësisë më të lartë. Dua të siguroj Lezhën se do të jetë në vëmendjen e qeverisë që unë kryesoj, në mënyrë që qytetarët e kësaj zone të mund të prekin dhe gëzojnë çdo ditë e më shume pasuritë e tyre. Edhe njeherë urimet më të përzemërta."
* * *
Në përurimin e përfundimit të punimeve të fazës së parë për sisteminin e argjinatures se lumit Drin, projekt i bordit kullues të Ministrisë së Bujqësisë, Kryeministri Berisha falënderoi ndërtuesit për punën e tyre me cilësi dhe në një kohë të shkurtër.
"Është bërë një punë e shkëlqyer në mbrojtjen e të gjithë zonës nga përmbytjet, me një gjatësi prej 22 km, në një kohë 2 herë më të shkurtër se sa koha për ngritjen dhe rikonstruksionin e 1800 metrave bulevard të Tiranës. Në një kohë dy herë më të shkurtër është bërë gjithë kjo punë që ka kthyer Drinin në një lumë të lundrueshëm dhe që mbron të gjithë zonën. Ky është modeli i përdorimit të fondeve publike.", u shpreh Kryeministri.