Pas inaugurimeve të objekteve infrastrukturore në qytetin e Lezhës, Kryeministri Berisha zhvilloi një takim me qytetarët lezhjanë në Pallatin e Kulturës të këtij qyteti. Duke
Pas inaugurimeve të objekteve infrastrukturore në qytetin e Lezhës, Kryeministri Berisha zhvilloi një takim me qytetarët lezhjanë në Pallatin e Kulturës të këtij qyteti.
Duke përshëndetur qytetarët, Kryeministri u shpreh:
"Është një nder i madh për mua t'ju përshëndes sot me përzemërsi të madhe, të përulem para jush me mirënjohjen më të thellë, për mbështetjen e fuqishme që ju i dhatë në datën 3 korrik 2005 ndryshimit të madh në Shqipëri. Ne të gjithë së bashku e duam jetën, e duam Shqipërinë, por edhe më shumë duam një Shqipëri tjetër, një Shqipëri të zhvilluar. Ja për çfarë angazhohem unë sot.
Sot, kam ardhur tek ju për tju informuar se në 16 muaj ne krenohemi para jush dhe të gjithë shqiptarëve se jemi njerëz të fjalës dhe premtimeve të mbajtura. Premtuam një qeveri të vogël, shkurtuam 25 perqind të gjithë administratën, shkurtuam në 40 % shpenzimet e ministrive, duke kursyer në këtë mënyrë rreth 100 milion euro dhe duke i shndërruar ato në rroga, pensione, shkolla, rrugë, kanalizime për Lezhën dhe mbarë Shqipërinë.
Premtuam luftën me tolerancë zero ndaj korrupsionit.Çfarë fituam nga kjo? Në vitin 2006, ne ia arritëm të shpëtojmë dhe të kthejmë në arkën tuaj të dytë, në buxhetin tuaj të dytë, sepse çdonjëri prej jush, përveç buxhetit në familje, ka dhe një buxhet tjetër, sepse buxheti i shtetit është buxheti i dytë i qytetarëve, dhe ne shpëtuam nga kthetrat e kontrabandistëve, e zyrtarëve abuzivë, keqpërdorimit dhe evazionit fiskal, jo 100 apo 200 milion euro, por 600 milion euro. Ne me to ulëm taksat për bizneset, përgjysmuam taksën e biznesit të vogël, ulëm me 33 perqind sigurimet shoqërore, ulëm 33 deri në 40 perqind çmimin për energjinë, ulëm taksat e tjera, duke e renditur Shqipërinë, në vitin që shkoi, në vendin e parë për uljen e taksave në përqindje. Dhe ato para që shpëtuam ne i kthyem në arkën e publikut.
Qeveria ka bërë rritjen më të madhe të pensioneve këto 15 vitet e fundit. Ne i arkivuam pensionet qesharake të fshatit me 15 apo 20 euro në muaj. Nga 1 janari nuk ka banor të fshatit që nuk merr së paku 50 mijë lekë (të vjetra) pension. Nuk ka asnjë pensionist në qytet që merr më pak se 100 mijë lekë (të vjetra) në muaj. Më shumë se çdo herë tjetër u rritën rrogat për mësuesit e fëmijëve tuaj, për infermierët, punonjësit e administratës. Me të ardhurat që nxorëm nga lufta kundër korrupsionit, ne dyfishuam numrin e studentëve në universitetet tona, i hapëm ato për rininë shqiptare që mbaroi maturën.
Dua tju siguroj se asnjë realizim, asnjë autostradë apo hidrocentral, asgjë nuk do të shkëpusë vëmendjen time nga problemet tuaja personale. Ato janë dhe do të mbeten përparësia ime absolute.
Me këto para ne ia dolëm të kotratojmë dhe të nisim punimet publike më të mëdha në historinë e vendit. Kanë nisur punimet ne autostradën Durrës-Morinë, korridorit më të madh e më të rëndësishëm në historinë tonë. Ditët e para të shkurtit, bëhet shpërthimi i parë në tunelin më të gjatë të Ballkanit, në Kalimash. Gjatë shkurtit, ne inaugurojmë autostradën Fier-Vlorë. Gjatë 2-3 muajve të para të vitit, inaugurojmë autostradën Korçë-Qafthanë. Një investim i madh prej 40 milion euro do të bëhet në portin e Durrësit. Sot është nënshkruar marrëveshja për investimin prej 3 milionë euro në Shëngjin. Unë ju garantoj se në projektet e qeverisë, Shëngjini do të jetë një nga portet më të rëndësishme të vendit.
Sot, ne inauguruam së bashku rrugën hyrëse të qytetit. Të jem i sinqertë, e inaugurova me një gëzim të madh, jo se ajo ishte ndonjë autostradë e madhe, por se ajo është një hyrje moderne për qytetin e Lezhës, një hyrje moderne për çdo qytet evropian. Ndaj dhe përgëzoj sot të gjitha ata që ndërtuan në një kohë rekord një hyrje kaq të bukur, në Lezhën kaq të bukur.
Po ashtu, inauguruam fazën e parë të sistemimit të lumit Drin. Ju garantojmë se investime të tjera shumë serioze do të bëhen, për ti dhënë këtij lumi të gjithë bukurinë që ai ka. Zoti Përvathi foli për shëtitoren. Më lejoni para jush ti kërkoj me urgjencë të hartojë projektin e saj. Zoti Përvathi premtoi dhe rrugën e kalasë. I kërkoj me urgjencë gjithashtu të hartojë projektin e saj. Kam kënaqësinë t'ju informoj se njëri prej instituteve më të famshëm të arkeologjisë, Instituti gjerman i Arkeologjisë, ka përzgjedhur Lezhën, si vendin më të pasur në historinë e këtij rajoni për të ndërmarë një seri studimesh, të cilat e bëjnë Lezhën një nga vendet më tërheqëse të Mesdheut për shqiptarët, për evropianët dhe për të gjithë turistët nga të katër anët e botës.
Ne jemi të vendosur të bëjmë çdo përpjekje për të shfrytëzuar bukuritë e mëdha turistike të Lezhes. Verën që shkoi turizmi pati nje rritje prej 30 perqind, në një kohë kur ne nuk kishim as një vit në pushtet. Ky fluks, kjo rritje e madhe, erdhi për faktin se besimi i madh që keni ju tek qeveria, këtë besim ka dhe bota tek qeveria. Ndaj dhe ne jemi te vendosur të investojmë. Sot, është nënshkruar marrëveshja prej 3 milion euro për sistemimin e ujrave të zeza. Projekte shumë të rëndësishme po bëhen për portin, për rikonstruksionin e plotë që lidh Lezhën me Shëngjinin si dhe të rrugës që lidh Shëngjinin me Velipojën. Pra, shumë shpejt i tërë ky kompleks natyror mahnitës, siç është Lezha, do të ketë një infrastrukturë moderne.
Zonja dhe zotërinj,
Theksova dhe prapë e theksoj se, interesat e qytetarëve janë udhërrëfyesi i të gjithë veprimtarisë sonë të përditshme, të përjavshme, të përvitshme. Në këtë kontekst, ju keni një rrugë të përcaktuar në shpirt dhe zemër, si rrugën e artë për secilin prej jush, si rrugën e ëndrrës suaj drejt anëtarësimit të vendit në Evropë, drejt anëtarësimit të vendit në NATO.
Unë qëndroj para jush për tu dhënë fjalën se, me seriozitetin më të madh, me përkushtimin më të veçantë do ti përgjigjem vokacionit të shpirtit tuaj perëndimor. Do të bëjmë bëjmë çdo përpjekje që Shqipëria të drejtohet sa më shpejt në familjen së cilës i përket, në familjen evropiane. Ne do të bëjmë çdo gje që drejt Evropës të shkojmë me dinjitetin që na takon, të shkojmë si qytetarë, të shkëputur nga varfëria, të shkojmë si njerëz të mirëshkolluar. Ndaj dhe arsimi mbetet përparësia më madhore e qeverisë. Këto kohë unë e di se arsimi dhe shpenzimet për arsimin ne vota nuk kthehen kollaj, por 100 herë më të rëndësishme se votat janë shkollimi i fëmijëve tuaj. Ndaj dhe unë jam i vendosur. Ne ju premtuam të rinjve shqiptarë dyer të hapura për universitetet. Ne ju premtuam se çdo vit do të rrisim numrin e fëmijëve që mbarojnë klasën e 9-të dhe ndjekin shkollën e mesme. 37 perqind ishte numri i tyre dy vjet më parë. Mbi 60 perqind është këtë vit dhe do të arrijë dhe në 90 perqind. Ne do të ndërtojmë konviktet moderne, do të tërheqim fëmijët nga fshatrat më të thella. Ne do tu krijojmë atyre të njëjtat mundësi për të ndjekur shkollat e mesme dhe universitetet. Ky është objektivi ynë. Ne do të modernizojmë shkollat me internet dhe me çdo gjë të nevojshme që fëmijët tanë të shkollohen njëlloj si fëmijët e Evropës.
Këto dy muaj kanë qenë muajt e mungesës së energjisë elektrike. Unë e konsideroj detyrimin me të madh të qeverisë që ju të keni drita 24 orë. Së pari, nga koncepti ndëshkim me dritat, koncept që u konsolidua 8 vjet me radhë dhe që e shndërroi KESH-in në një piramidë ndëshkimi për qytetarët shqiptarë, vendimi politik i qeverisë sime është 24 orë drita për qytetarët shqiptarë dhe ky vendim parashkon këtë objektiv brenda vitit 2007.
Unë ju garantoj se qeveria do të bëjë përpjekjet më të jashtëzakonshme dhe do ti dalë zot premtimit të dhënë. Ne premtuam 24 orë drita për sezonin turistik. Ne i dhamë Shqipërisë 24 orë drita pa asnjë diskriminim. Ne premtojmë se pas 2007 do të kemi 24 orë drita. Ne do ta realizojmë qëllimin tonë. Në këtë moment ne importojmë më shumë se kurrë energji elektrike për të përballuar thatësirën. Ndaj dhe unë i qëndroj plotësisht premtimit tim, brenda 2007 do të ketë zgjidhje, do të realizohet premtimi dhe qëllimi i qeverisë që unë kryesoj.
Ju e patë studimin, shqiptarët i besojnë qeverisë, i besojnë Partisë Demokratike, njëlloj si në 2005-n, si forcë kryesore. Unë përkulem me mirënjohje dhe e kthej këtë besim në një detyrim madhor, në një forcë të madhe. E gjithë forca ime e pashtershme buron nga morali juaj, sepse unë ju besoj ju, ju besoj qytetarëve të Lezhës dhe të gjithë qytetarëve shqiptarë. Ndaj dhe jam i vendosur që së bashku me qeverisë të punoj për të zgjidhur problemet tuaja, ujë drita, kanalizime. Ne i dhamë një përgjigje përmbytjes, sepse më dhimbte shpirti sa herë që ju shihja në televizor, apo takoja familje, shihja fshatra apo dhe Lezhën vetë të përmbytur. Këtë e kemi dhe do ta kemi përparësi të madhe. Natyrisht fatkeqësitë natyrore dalin jashtë çdo lloj parashikimi, por do të bëjmë të pamundurën që ato të përballohen me suksesin më të madh.
Tani kam shumë kënaqësi të paraqes para jush zotin Pashk Përvathi, një piktor i dashur jo vetëm për Lezhën, por për të gjithë Shqipërinë. Ndërsa në Lezhë kandidon piktori i shkëlqyer, i talentuar, i suksesit, në Tiranë kandidon piktori i dështuar."