Paragjykimet në Britaninë e Madhe, ambasadori letër “The Guardian”: Obsesioni për demonizimin e shqiptarëve, deri në foltoren parlamentare

Në një letër dërguar të përditshmes britanike “The Guardian”, ambasadori shqiptar në Londër, Uran Ferizi ka ngritur shqetësimin për paragjykimet që hasin shqiptarët në Britaninë e Madhe.
Ferizi thotë se jo në pak raste komuniteti shqiptar ka qenë në shenjestër jo vetëm të mediave por edhe të politikanëve
“Obsesioni për demonizimin e shqiptarëve ka arritur deri në foltoren parlamentare. Kur një ministër përmend një kombësi në parlament, në vend që të përmendë një sjellje apo një lloj të caktuar krimi, ai nuk përshkruan një problem, por krijon një objektiv. Është dëshpëruese të shohësh politikanë që janë vetë emigrantë të gjeneratës së dytë duke sulmuar emigrantët që i kanë pasuar ata drejt Britanisë së Madhe”, tha ambasadori shqiptar në Britani, Uran Ferizi.
Ferizi i cilësoi të pasakta statistikat e publikuara në mediat britanike lidhur me shkallën e përfshirjes së shqiptarëve në krim në Britaninë e Madhe.
“Mendoj se është krijuar një model në shtypin britanik ku statistikat selektive nxirren jashtë kontekstit dhe amplifikohen. Nëse numri i shqiptarëve në burg peshohet me numrin real të shqiptarëve në Britaninë e Madhe, jo vetëm me një nëngrup shumë të vogël të tyre, dhe kontrollohet për gjininë, moshën dhe të ardhurat, atëherë rezultati është se shqiptarët burgosen me të njëjtën normë si britanikët e lindur në vend. Por, kjo nuk përforcon paragjykimin se shqiptarët janë një grup jashtëzakonisht kriminal, ndaj nuk publikohet”, u shpreh Ferizi.
Ambasadori e krahasoi përdorimin e shqiptarëve me përvojën e grupeve të mëparshme të emigrantëve në Britaninë e Madhe, përfshirë hebrenjtë, irlandezët apo polakët. Ndërsa kritikat e tij ndaj Sekretares së brendshme, Shabana Mahmood lidhen me deklaratën e saj në parlament në muajin nëntor, kur ajo paraqiti plane të diskutueshme për reformimin më të madh të ligjeve të azilit në 40 vitet e fundit.
Më herët, deklaratave negative ndaj shqiptarëve i është përgjigjur edhe vetë kryeministri Edi Rama ndaj qëndrimeve të deputetit Nigel Farage apo ish-sekretares Suela Braverman.