Parajsa e lirë shqiptare

“Një parajsë e lirë në rivierën shqiptare”. Është ky titulli i një artikulli mjaft interesant publikuar në faqen e prestigjiozes “New York Times” për rivierën shqiptare, ndërkohë që ka nisur edhe sezoni i pushimeve.
Materiali është shkruar nga Seath Kugel, i cili ka vizituar personalisht brigjet e mrekullueshme të vendit tonë nga Vlora në Sarandë, një zonë e njohur ndryshe si riviera shqiptare. Fillimisht ai flet për fshatin Ilias, ku është përballur me një pamje mahnitëse.
Përtej rrugës, reporteri shikon një plazh idilik, siç e quan ai, një plazh me guralecë të vegjël, ndërsa diku ka dëgjuar të flitet për “Manastirin” sikur të kërkonte një godinë ku qëndrojnë murgj apo murgesha. Por, në fakt ai gjen një plazh të mrekullueshëm në bregun jonian, në blunë e thellë të detit.
Në afërsi të plazhit, vijon artikulli, shihen bunkerë të shumtë, të vendosur aty që nga koha e ish diktatorit Enver Hoxha. “Nuk shihet këmbë njeriu në këtë plazh. Gjithçka është imja’’-shkruan autori, duke iu referuar këtij ambienti, ndërsa tregon se i mjafton vetëm kaq për t’u zhveshur e për t’u hedhur në ujin e kristaltë, duke regjistruar gjithçka në këtë udhëtim.