E Enjte, 5 Nëntor 2026

Paralajmërimi për rritjen e çmimit të energjisë, Basha: Kriza vjen nga keqqeverisja!

Lidhur me krizën e energjisë në vend Kryetari i PD, Lulzim Basha shprehet se është pasojë e keqqeverisjes së kryeministrit Edi Rama. Pas mbledhjes së grupit të PD-së, Zoti Basha theksoi se me paratë që Rama duhet të çonte për uljen e çmimit të energjisë, ka pasuruar veten e tij dhe një grusht oligarkësh. “Ku shkuan paratë e qytetarëve. Çmimi i energjisë u rrit, çmimi i karburantit u rrit dy herë duke e bërë më të shtrenjtin në Europë. Shqiptarët vetë kanë fuqinë blerëse më të ulët në Europe. Këto janë fakte që i di gjithskush. Kjo është një pasojë e keqqeverisjes së tij, e dështimeve të tij e vendimmarrjes së tij gjakftohtë kriminale. Paratë që duhet të conte për uljen e çmimit të energjise ka pasuruar veten e tij dhe një grusht oligarkësh”, u shpreh Basha.
Lideri demokrat theksoi se opozita do të bëjë gjithcka për të ndaluar këtë “sëpatë të mprehtë” të Ramës për qytetarët. “Ne kemi jo vetëm propozimet që u bënë publike dje, ne po kështu do të bëjmë gjithçka për të ndalur këtë sëpatë që po mpreh Rama për qafën e holluar e të varfër të shqiptarëve, për xhepa e tyre për të marrë qindarkat e tyre për të mbyllur gropën e korrupsionit”, nënvizoi Basha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›