E Diel, 1 Nëntor 2026

Parandalohet konflikti në Tiranë, në hetim 28 të mitur

Policia e Tiranës parandaloi sot zhvillimin e konfliktit ndërmjet disa të miturve, ndërsa procedoi penalisht në gjendje të lirë 28 të mitur, disa prej të cilëve posedonin armë të ftohta.

Policia njoftoi se pas marrjes së informacionit në rrugë operative se disa grupe të miturish do të konfliktoheshin me njëri-tjetrin, në Kombinat, kanë organizuar menjëherë punën dhe kanë ndërhyrë për parandalimin e konfliktit.

Sipas policisë, në bazë të informacionit, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar në rrugën “Llambi Bonata”, disa të mitur të ndarë në grupe, të cilët dyshohet se do të konfliktoheshin me njëri-tjetrin. Shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë menjëherë dhe i kanë shoqëruar të miturit, në ambientet e Komisariatit të Policisë Nr. 6.

Policia bëri me dije se gjatë kontrollit fizik, disave prej tyre iu gjetën armë të ftohta (thika), kaçavida, si dhe disa maska, të cilat janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale.

Veprimet procedurale me të miturit u kryen në prani të prindërve dhe psikologëve dhe pas komunikimit me prokurorin, nisi procedimi në gjendje të lirë për 28 shtetas të mitur, të moshave 13-17 vjeç.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›