E Diel, 1 Nëntor 2026

Paraqitet projektligji “Për tregjet e kriptoaseteve”, kuadër më i qartë për financat digjitale

TIRANË, 28 tetor/ATSH/ Zëvendësministri i Ekonomisë dhe Inovacionit, Martin Kajo prezantoi në Komisionin për Evropën dhe Punët e Jashtme projektligjin “Për tregjet e kriptoaseteve”, i cili synon krijimin e një kuadri më të plotë dhe të qartë për financat digjitale në Shqipëri, në përputhje me zhvillimet e reja të tregut dhe standardet e Bashkimit Evropian.

Gjatë prezantimit, Kajo theksoi se projektligji synon të përafrojë legjislacionin shqiptar me rregulloren evropiane për tregjet e kriptoaseteve, të njohur si MiCA, duke vendosur rregulla më të qarta për operatorët dhe duke forcuar mbrojtjen e investitorëve dhe të klientëve.

“Nëpërmjet këtij projektligji synohet krijimi i një kuadri më të plotë dhe më të qartë për financat digjitale në Shqipëri, në përputhje me zhvillimet e reja të shërbimeve financiare, duke përcaktuar përgjegjësi më të qarta për operatorët dhe duke vendosur mbrojtjen e investitorëve dhe të klientëve në qendër të vëmendjes”, tha ai.

“Nga këndvështrimi i Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit, kjo nismë lidhet drejtpërdrejt me aftësinë e ekonomisë shqiptare për të përfituar nga zhvillimi i kriptoaseteve”, shtoi Kajo.

Ai shpjegoi se kriptoasetet janë përfaqësime digjitale të një vlere ose të një të drejte, të cilat mund të ruhen dhe të transferohen elektronikisht përmes teknologjive të regjistrave të shpërndarë, siç është blockchain.

“Kriptoasetet janë përfaqësime digjitale të një vlere ose të një të drejte, të cilat mund të ruhen dhe të transferohen elektronikisht përmes teknologjive të regjistrave të shpërndarë, siç është blockchain.

Në thelb, bëhet fjalë për një regjistër transaksionesh që nuk mbahet vetëm nga një bankë apo institucion i vetëm, por shpërndahet në shumë kompjuterë të një rrjeti, të cilët verifikojnë çdo veprim. Për këtë arsye, një transaksion i regjistruar është i vështirë të ndryshohet.

Kriptoasetet mund të marrin forma të ndryshme teknike, por shpesh përfaqësohen përmes tokenëve. Për këtë arsye, ligji i trajton këto produkte në mënyra të ndryshme, në varësi të natyrës, rreziqeve, shërbimeve që lidhen me to dhe përgjegjësive ndaj klientëve”, u shpreh Kajo.

Sipas Kajos, Shqipëria ka një kuadër ligjor të miratuar në vitin 2020 për tregjet financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë, por zhvillimi i shërbimeve dhe produkteve të reja financiare kërkon përditësimin e rregullave ekzistuese. Në këtë kuadër, projektligji trajton edhe kriptoasetet që synojnë të ruajnë një vlerë të qëndrueshme, si dhe shërbimet që lidhen me to.

Zëvendësministri nënvizoi se kuadri i ri do të synojë rritjen e transparencës për qytetarët, duke u mundësuar atyre të kuptojnë natyrën e produkteve, kostot, të drejtat dhe rreziqet përkatëse.

Projektligji parashikon gjithashtu rregulla për ruajtjen dhe administrimin e aseteve të klientëve, parandalimin e konflikteve të interesit dhe trajtimin e ankesave.

Për operatorët që ofrojnë shërbime të kriptoaseteve, parashikohen kërkesa lidhur me kapitalin, qeverisjen, sigurinë e sistemeve dhe mbikëqyrjen e veprimtarisë.

Ai theksoi se, “kjo nismë përbën një hap në përmbushjen e kërkesave të Kapitullit 9, që lidhet me shërbimet financiare, si dhe në përgatitjen e institucioneve dhe operatorëve shqiptarë për integrimin evropian”.

Nëpërmjet këtij kuadri rregullator, qytetarët do të kenë mundësi të kuptojnë më mirë natyrën e produkteve që ofrohen, kostot, të drejtat që u takojnë dhe rreziqet përkatëse.

Gjithashtu, ai shtoi se, parashikohen rregulla për ruajtjen dhe administrimin e aseteve të klientëve, menaxhimin e konflikteve të interesit dhe trajtimin e ankesave.

“Nëpërmjet këtij kuadri rregullator, qytetarët do të kenë mundësi të kuptojnë më mirë natyrën e produkteve që ofrohen, kostot, të drejtat që u takojnë dhe rreziqet përkatëse. Gjithashtu, parashikohen rregulla për ruajtjen dhe administrimin e aseteve të klientëve, menaxhimin e konflikteve të interesit dhe trajtimin e ankesave. Operatorët do të duhet të përmbushin kërkesa lidhur me kapitalin, qeverisjen, sigurinë e sistemeve dhe mbikëqyrjen e veprimtarisë”, tha Kajo.

Për kriptoasetet e lidhura me aktive dhe ato që synojnë të ruajnë vlerën përmes parasë elektronike, projektligji përcakton kërkesa të posaçme, në varësi të natyrës dhe rreziqeve të tyre, përfshirë mbulimin me aktive, ruajtjen e fondeve dhe të drejtat e shlyerjes.

Kajo theksoi se synimi është që veprimtaritë e reja financiare të krijojnë vlerë ekonomike në Shqipëri, duke nxitur zhvillimin e kompanive dhe shërbimeve që u përgjigjen nevojave të tregut.

Projektligji parashikon gjithashtu mekanizma për të identifikuar dhe adresuar herët problematikat teknike dhe rregullatore, përpara se produktet dhe shërbimet të përhapen më gjerësisht.

Sa i përket mbikëqyrjes, projektligji përcakton kompetencat e autoriteteve përgjegjëse, përfshirë Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare (AMF) dhe Bankën e Shqipërisë, sipas kategorisë së veprimtarisë. AMF-ja parashikohet të autorizojë dhe mbikëqyrë ofruesit e shërbimeve të kriptoaseteve, si dhe të ushtrojë kompetenca lidhur me ofertat dhe dokumentacionin përkatës. Banka e Shqipërisë do të ketë rol në autorizimin dhe mbikëqyrjen e emetuesve të kategorive përkatëse të kriptoaseteve.

Projektligji trajton gjithashtu përdorimin e informacionit të brendshëm dhe manipulimin e tregut, duke parashikuar kompetenca për autoritetet përgjegjëse për hetimin dhe marrjen e masave në rast shkeljesh.

Një tjetër element i nismës lidhet me njohjen në Shqipëri të operatorëve të autorizuar në Bashkimin Evropian, sipas kategorive përkatëse dhe procedurave të përcaktuara nga autoritetet kompetente. Ky mekanizëm synon të lehtësojë bashkëpunimin dhe konkurrencën në tregun vendas, ndërsa njohja do të kryhet përmes procedurave pranë AMF-së ose Bankës së Shqipërisë, sipas rastit.

Kajo u bëri thirrje deputetëve që ta vlerësojnë projektligjin si një hap të rëndësishëm drejt krijimit të një tregu financiar digjital më transparent, më të sigurt dhe më të besueshëm për qytetarët.

Ai theksoi se miratimi i tij do të kontribuojë në përmbushjen e kërkesave të procesit të integrimit evropian në fushën e shërbimeve financiare, si dhe në krijimin e kushteve më të qarta për sipërmarrjet dhe investitorët.

Relatorja e projektligjit, deputetja Sara Mila, përshëndeti përafrimin e legjislacionit me rregullat e Bashkimit Evropian, duke e cilësuar këtë proces si të rëndësishëm në kuadër të integrimit evropian.

/gj.m/j.p/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›