E Diel, 1 Nëntor 2026

“Parashikimet për 2027 janë pesimiste”- Kreu i Konfindustrisë: Ekonomia mbahet me paratë e pista! Biznesi me rritjen e taksave do rrisë çmimet ose do falimentojë

Kreu i Konfindustrisë, Gjergj Buxhuku, ka kritikuar paketën e re fiskale, duke deklaruar se ajo është hartuar si një përllogaritje aritmetike dhe jo si një strategji për zhvillimin afatgjatë të ekonomisë shqiptare.

buxhuku

I ftuar në News24, Buxhuku u shpreh se nuk ka të dhëna të qarta se si propozimet e paketës do të ndikojnë në zhvillimin e qëndrueshëm të vendit, ndërsa paralajmëroi për një situatë pesimiste ekonomike në vitin 2027.

“Kjo paketë fiskale është paraqitur si aritmetikë dhe jo si projekt që duhet të ketë parasysh se ku duhet të shkojë ekonomia, ka synim afat shkurtër apo afatgjatë. Nuk kemi të dhëna nëse dhe si secili propozim i paketës do ndikojë në zhvillimin e qëndrueshëm të vendit”, tha ai.

Sipas tij, ekonomia shqiptare rrezikon të përballet me një krizë për shkak të parave të pista që hyjnë nga jashtë, monopoleve dhe oligopoleve që kufizojnë konkurrencën, si dhe korrupsionit dhe kapjes së shtetit.

“Problemi që ekonomia shqiptare në vitin 2027 parashikimet janë pesimiste. Për arsye të rrënjëve që kjo ekonomi ka. Për karburantin dhe oksigjenin që furnizohet kjo ekonomi. Ekonomia shqiptare ka disa karakteristike që në çdo çast e bëjnë të jetë në rrezik kolapsi. E para paratë e zeza që vijnë nga jashtë. Sasi shumë e madhe, masa tumorale është rënduar kaq shumë, pesha është më e madhe se sa ekonomia formale, e shëndetshme. Para që prodhohen jashtë, merren jashtë nëpërmjet kanaleve të krimit dhe ankorohen në Shqipëri.

Ekonomia shqiptare e kapur nga oligopolet dhe monopolet që i kanë hequr konkurrencën tregut të lirë. Nuk është më ekonomi e tregut të lirë, por e centralizuar apo e tipit mafioz. E treta, ekonomi e varur nga korrupsioni i të gjitha llojeve, nga ai primitiv. Gjithmonë e më shumë nga korrupsioni i kapjes së shtetit, kur prodhohen ligje me porosi. Të gjitha këto bëjnë që parashikimet për 2027 pa paketën fiskale janë pesimiste. Paratë e pista e kanë kthyer në një ishull të pirateve të Karaibeve”, u shpreh Buxhuku.

Buxhuku theksoi se një pjesë e konsiderueshme e ekonomisë është mbështetur te paratë e përfituara nga aktivitetet kriminale, ndërsa paralajmëroi se goditjet e SPAK ndaj grupeve kriminale dhe sekuestrimi i pasurive mund të ndikojnë edhe në sektorë të ndryshëm të ekonomisë.

“SPAK gjithmonë e më shumë po godet grupet e mëdha kriminale. Që përfundon në sekuestrime pronash dhe ndalime ndërtimesh. SPAK parashikohet se do rrisë ndjeshëm forcën goditëse. Bota demokratike nuk të lë ta zhvillosh në pafundësi këtë operacion. Ata dijnë me saktësi se cili kompani apo biznes ti e ke ngritur dhe e mban me këto operacione. SPAK nuk është institucion i vullnetit politik shqiptar. qartësisht zgjatim i agjencive të inteligjencës së SHBA dhe BE. Nuk zhvillohet vendi me ekonomi normale, por me para të zeza. Të cilat kanë filluar kahun drejt zhdukjes.

Për këtë krijojnë një paketë fiskale dhe një buxhet për të pasur një sasi oksigjeni se nëse SPAK vazhdon me këto goditje thahen këto të ardhura buxhetore. Bizneset me rritjen e taksave ose do rrisin çmimet. Kjo do vazhdojë deri në një moment të caktuar. Ti je ekonomi importuese dhe ke konkurrencë. Janë mallrat e importit që i shkrin mallrat vendore. Çdo rritje taksash i faturohen qytetarit. Biznesi ose do rrisë çmimet ose do falimentojë”, përfundoi kreu i Konfindustrisë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›