E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Parashikojmë një katastrofë"

Në raportin e përvitshëm të publikuar të premten, organizata "Amnesty International" kritikon Kinën dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për shkeljen e të drejtave të njeriut. Në një intervistë të dhënë për revistën gjermane "Der Spiegel", Irene Khan, kreu i kësaj organizate paralajmëron se kriza ekonomike nëpër të cilën po kalon bota, i ka bërë qeveritë e vendeve perëndimore t‘i harrojnë të drejtat njerëzore në një qosh të humbur.

Viti i shkuar u dominua tërësisht nga recesioni global. Kjo është reflektuar edhe në raportin tuaj të përvitshëm. Si ka ndikuar kriza në të drejtat e njeriut nëpër vendet e globit?

Parashikojmë një katastrofë. Pas vitesh ku u shënua pakësim i njerëzve të varfër, numri i tyre ka nisur përsëri të rritet. Pamë trazira shoqërore në Afrikë e Kinë - dhe reagime shumë të ashpra nga ana e qeverive gjatë të cilave gjetën vdekjen shumë protestues. Mungesa e ushqimit u dha mundësinë shumë qeverive, mes të shumtave ajo e Zimbabvesë apo e Koresë së Veriut, të shfrytëzojnë ushqimin si armë politike.

Mund të ishte parandaluar e gjitha kjo?

Qeveritë e shteteve të mëdha kanë qenë të shpërqendruara për shkak të recesionit. Krizave humanitare, si ajo e Darfurit apo e Palestinës, nuk u kushtohet vëmendja e duhur. Vendet më të varfra janë pikërisht ato që preken edhe më rëndë nga kriza ekonomike, por të gjitha përpjekjet dhe investimet bëhen në emër të interesave financiare dhe bankare në Perëndim. Të drejtat e njeriut janë lënë në një qosh të humbur.

Ju habit fakti që politikanët perëndimorë vënë në plan të parë interesat e vendeve të tyre?

Perëndimi i ka hyrë një rreziku të madh: nëse rënia e shkaktuar prej recesionit global nuk menaxhohet siç duhet dhe investimet nuk u drejtohen vendeve më të varfra, miliarda njerëz nëpër botë do të vuajnë.

Recesioni ka përshpejtuar gjithashtu edhe krijimin e një grupimi të ri global - G20-ën. Sipas raportit tuaj, përfshirja e vendeve si Kina e Arabia Saudite, ka bërë që prirja për respektimin e të drejtave të njeriut nga ana e ish G8-ës është cenuar rëndë. G20-a është përgjegjëse për 80 për qind të torturave dhe ekzekutimeve në të gjithë globin.

Zgjerimi qe i drejtë, pas G20 reflekton realitetin e fuqisë ekonomike dhe politike nëpër botë. Por nuk do të jetë një grup i efektshëm liderësh nëse nuk krijon brenda vetes një vizion të përbashkët mbi të drejtat e njeriut. Një prej synimeve tona kryesore është të shtyjmë dy vendet më të rëndësishme të globit, Kinën dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të zhvillojnë baza të përbashkëta në kuadrin e mbrojtjes së të drejtave të njeriut. Duam që Shtetet e Bashkuara të nënshkruajnë Konventën e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat Ekonomike, Sociale dhe Kulturore dhe duam gjithashtu që Kina të nënshkruajë Konventën e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat Civile dhe Politike.

Të nënshkruash një dokument nuk do të thotë të ndash vërtet një vizion të përbashkët. Mos keni humbur një aleat të vjetër me daljen nga skena të G8-ës? Pas së gjithash, rezolutat e G8-ës, pavarësisht joperfeksioneve, u përmbaheshin disa vlerave të caktuara universale, atyre të "Amnesty International". Kjo ka marrë fund tashmë.

Çështja është nëse qeveritë e G20-ës do të ulen në nivelin e përbërësit të tyre më të ulët. Me fushatat tona kërkojmë që të gjitha shtetet anëtare të angazhohen në kuadrin e të drejtave të njeriut, dhe ka ardhur ndonjë shenjë kurajuese. Kina ka nënshkruar planin e parë të veprimit në kuadrin e të drejtave të njeriut.

Plani kinez i veprimit, i adaptuar në prill të këtij viti, mes të tjerash premton kontrollin mbi dënimin me vdekje, si dhe lejon gazetarët e blog-erët të punojnë lirshëm. Sa e besueshme ju duket kjo?

Ka një distancë mjaft të madhe mes retorikës dhe realitetit. Premtimet nuk mjaftojnë, presin vepra. Përpara lojërave olimpike të vitit të shkuar, Kina u hap disi. Zhbllokuan disa site interneti, përfshi edhe atë të "Amnesty International", por tani është bllokuar përsëri. Gjithashtu kanë institucionalizuar apelin në rastin e dënimeve me vdekje, por mbetet gjithsesi vendi me më shumë ekzekutime në rruzull.

Sipas raportit tuaj të përvitshëm, në Kinë janë ekzekutuar të paktën 1700 njerëz gjatë vitit të shkuar, e ndjekur nga Irani ku janë ekzekutuar të paktën 346 veta.

Numri i vërtetë i të ekzekutuarve në të dy vendet është edhe më i lartë. Ne kemi regjistruar vetëm rastet e regjistruara nga burimet tona gjatë lajmeve apo nëpër gazeta. Nuk kemi në dorë të dhëna qeveritare mbi ekzekutimet dhe nuk kemi akses në asnjë prej këtyre dy shteteve.

Gjatë shtatë viteve të shkuara, lufta kundër terrorit ka luajtur rol të dorës së parë në raportet tuaja të përvitshme. Duket se po i kushtohet më pak rëndësi. Qeveritë perëndimore të përfshira në tortura apo kërcënime janë tani në pozita mbrojtjeje, transparenca është fjala kyç tani për tani. Ndieni ndonjë lloj triumfi?

Vërehet një ndryshim shumë i qartë strategjish politike në të gjithë botën. Jemi shumë të lumtur me premtimet e përsëritura të Presidentit Barak Obama për mbylljen e Burgut të Guantanamos, ashtu si qendrave të tjera të ngjashme, si dhe heqjen dorë nga përdorimi i torturës. Shtetet e Bashkuara kanë udhëhequr luftën ndaj terrorit, kështu që ndryshimi i drejtimit të saj krijon një klimë të re në të gjithë globin. E megjithatë, letrat nuk janë hapur deri në fund. As Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe as Evropa nuk e kanë rrëfyer gjithë historinë e tyre. Ne do vazhdojmë të ngulmojmë deri në zbardhjen e plotë të çështjeve në fjalë.

Javës së shkuar, Presidenti Obama deklaroi mbylljen e Burgut të Guantanamos. Por nuk përjashtoi praktikën e burgimit për motive parandaluese. Disa të burgosur mund të mbahen për kohë të pacaktuara pa iu nënshtruar një procesi gjykimi - vetëm se kjo do të bëhet në territorin amerikan dhe jo në atë kuban.

Kjo është shumë shqetësuese. Obama ka qenë tepër i dyzuar në këtë pikë, duke kërkuar edhe bazë të re ligjore. Por burgimi pa proces gjyqësor nuk do të jetë kurrë pjesë e sistemit të drejtësisë. Po i kërkojmë qeverisë në Uashington të lirojë të gjithë të burgosurit e pafajshëm të Guantanamos dhe t‘i gjykojë të tjerët në një gjykatë amerikane. Qeveria duhet të tregojë besim ndaj sistemit të vet të drejtësisë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›