Paratë e vjedhura në Xhami i harxhoi për muzikë e raki

Krejt paratë që i vodhi prej xhematit i la në muzikë të gjallë. Rrahman Shkretës iu desh një natë e vetme që t’ua gjejë vendin 6 mijë e 500 eurove, të cilat i vodhi nga zyrat e Këshillit të Bashkësisë Islame në Han të Elezit.
Pos që i vodhi krejt rrogat e imamëve të kësaj qyteze, Rrahmani 24 vjeçar hyri në gjynah edhe me një veprim tjetër.
Paratë që xhemati i Hanit të Elezit i ndau për pagat e imamëve, e të cilat Rrahmani i vodhi cent më cent, i harxhoi komplet në një kafe të rakisë në Ferizaj. Kështu i ka thënë gazetës një burim brenda policisë.
“Dyshohet se ai i ka shpenzuar të gjitha paratë e vjedhura në lokalet e natës ku këndohet muzika e gjallë. Të paktën kështu ka bërë gjatë kohës sa ai ka qenë duke u hetuar për vjedhjen që e ka kryer”, i ka thënë ky burim gazetës.
E këngëtari që i mori këto para, sipas këtij burimi kishte fat atë natë. “Dyshohet se disa herë i ofroi këngëtarit nga 1 mijë euro të plota, deri në centin e fundit”.
Megjithatë, ky “qejf” nuk i shkoi edhe shumë gjatë. Vetëm pak javë pasi vodhi pagat e imamëve, Rrahim Shkreta ra në duart e policisë. Nën dyshimin se është hajni që vodhi paratë nga zyra e këshillit të Bashkësisë Islame, policia arrestoi Rrahmanin të hënën pasdite. Arrestimin e ka konfirmuar për Express edhe policia.
Basri Shabani, kapiten i policisë rajonale të Ferizajt thotë se për një kohë të gjatë i dyshuari ishte duke u hetuar nga policia.
“Deri të hënën kur i dyshuari për rastin e vjedhjes së rëndë, e cila kishte ndodhur më 6 janar, në Xhaminë e Qytetit të Hanit të Elezit është arrestuar”, ka thënë Shabani të martën për Express. Sipas tij arrestimi i Rrahman Shkretës është kryer në qytetin e Ferizajt. “Me urdhër të prokurorit, i dyshuari për këtë vjedhje të rëndë është dërguar në mbajtje”.
E nuk ishte vetëm policia ajo që i ra në gjurmë hajnit që la pa paga krejt imamët e Hanit të Elezit. Shabani thotë se në ndihmë atyre u doli edhe një djalosh, i cili ditën kur Rrahmani kreu vjedhjen po ruante tek dera e Bashkësisë Islame.
“Është shoku i tij që ditën e vjedhjes ka luajtur rolin e rojës ai që na ka ndihmuar t’i biem në gjurmë”, ka sqaruar Shabani. Duket se kjo nuk është hajnia e parë që ka kryer Rrahmani.
Sipas kapitenit Shabani, i njëjti është i njohur edhe për shumë vepra të tjera penale, kryesit ato të vjedhjeve që kanë ndodhur në Han të Elezit.
Ndryshe, vjedhja e parave të xhematin në Han të Elezit u krye më 6 janar të këtij viti, ditën e diel kur zyrat e këshillit të Bashkësisë Islame ishin të mbyllura. Dikush, që atëkohë nuk dihej kush ishte kishte thyer dyert e këtyre zyrave dhe kishte vjedhur të gjitha paratë që Bashkësia Islame kishte mbledhur për t’ia ndarë më pas imamëve të të gjitha xhamive të qytetit.
Por ra kjo vjedhje e cila i la pa paga imamët e Hanit të Elezit. Gjatë janarit askush nga stafi i Bashkësisë Islame e asnjë imam i asnjë xhamie nuk mori rrogë për punën që e kryen./Indeksonline/