Paris, Marie Le Pen dhe 8 eurodeputetë shpallen fajtorë për përvetësim të fondeve të BE-së

Gjykata e Parisit shpalli fajtorë lideren e ekstremit të djathtë, Marie Le Pen, dhe 8 eurodeputetë të tjerë për përvetësim të fondeve të Bashkimit Evropian. Sipas vendimit të gjykatës, ata ishin të përfshirë në një skemë që kishte për qëllim përdorimin e fondeve të BE-së për punët e partisë së ekstremit të djathtë, Rally National, ndërmjet viteve 2004 dhe 2016.
Dënimi i Le Pen i ndaloi mundësinë asaj që të kandidojë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2027, pasi gjykata vendosi ndalimin e saj të kandidojë për poste publike për 5 vjet. Gjithashtu Le Pen është gjobitur me 100,000 euro.
Gjykata vlerësoi se dëmi i përgjithshëm ishte 2.9 milionë euro, ndërsa Parlamentit Evropian iu kërkua të merrte përgjegjësinë për punonjësit që punonin për partinë dhe jo për institucionet evropiane, siç ishte parashikuar.
Kryetari i gjykatës së Parisit, Bénédicte de Perthuis, tha se veprimet e Le Pen përbënin një “sulm serioz ndaj rregullave të jetës demokratike në Europë, por veçanërisht në Francë“. Vetë Le Pen, e cila ishte e pranishme në sallën e gjyqit, u largua përpara se dënimi i saj të lexohej i plotë nga gjykata.
Hetimi i nisur në vitin 2015 ka çuar në paraqitjen para gjykatës së disa zyrtarëve të lartë të partisë, duke përfshirë edhe Le Pen, për të përballur akuzat për krijimin e një “sistemi përvetësimi” të fondeve. Dëmi i përgjithshëm i shkaktuar nga ky veprim, sipas vlerësimit të Parlamentit Evropian, mund të arrijë deri në 7 milionë euro.
/rtsh.al/