E Martë, 3 Nëntor 2026

Parku i Krastës në Elbasan, krahas mbjelljes së fidanëve po monitorohet edhe pylli

I shpallur zonë e mbrojtur në administrim të bashkisë së Elbasanit, Parku i Krastës zë një sipërfaqe prej 2,3 km katrorë dhe ndodhet rreth 1,5 km larg qendrës së qytetit të Elbasanit.

Kjo zonë me pisha e pyllëzuar në vitet ’60 është parë si një mundësi e mirë për t’i shpëtuar pasojave të urbanizimit dhe ndotjes industriale të qytetit të Elbasanit.

Ndërkohë pisha të rrëzuara, shkurre, degë të thyera dhe trungje pemësh janë një imazh aspak i këndshëm i kësaj kodre që konsiderohet edhe mushkëria e Elbasanit.

Bashkia ka ngritur edhe një grup pune për mbrojtjen e Krastës, i cili monitoron gjithë kohën zonën dhe kur vëren paligjshmëri, i çon rastet për ndjekje penale.

“Qytetarët e papërgjegjshëm, këto pisha i përvetësojnë pasi rrëzohen, gjë që është e paligjshme. Lënda drusore lejohet të përdoret vetëm për nevojat e bashkisë,” shprehet Shpëtim Çullhaji, drejtor i shërbimit pyjor.

Bashkia ka ndërhyrë herë pas here në zëvendësimin e pemëve të dëmtuara.

Sipas drejtorit të shërbimit pyjor, mbjellja e rreth 18 mijë fidanëve pishë e egër do të sjellë një impakt pozitiv në pyllin e Krastës.   

Kjo zonë është e domosdoshme për qytetin dhe si e tillë duhet rehabilituar dhe mirëmbajtur, pasi i shërben të gjithë qytetit dhe është cilësuar edhe si kurora e gjelbër.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›