Parku i ri “Dua të Luaj” në Elbasan, hapësirë për familjet e çdo moshe

TIRANË, 27 shtator/ATSH/ Parku rekreativ “Dua të luaj” në Elbasan është kthyer në një hapësirë moderne në shërbim të komunitetit.
Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale pamje nga ky park komunitar multifunksional, i cili përfshin kënde lojërash për fëmijë dhe ambiente të gjelbra rekreative për të gjitha moshat.
“Parku i ri “Dua të Luaj” në Elbasan është një hapësirë prej rreth 22 mijë m², me fusha sportive, pista vrapimi e biçikletash, kënde lojërash për fëmijët dhe plot gjelbërim për familjet e çdo moshe”, shkruan Rama.
Me mbështetjen e Fondit Shqiptar të Zhvillimit, ky projekt synon të krijojë një park funksional dhe gjithëpërfshirës, duke promovuar një stil jetese aktive për të gjitha grupmoshat.
Parku multifunksional “Dua të luaj” ofron kushte për aktivitete sportive, rekreative dhe sociale, duke krijuar një prej hapësirave më të mëdha publike të këtij lloji në Elbasan.
Bashkia Elbasan vijon punën për transformimin e hapësirave publike, duke rritur gjelbërimin dhe cilësinë e jetës për qytetarët.
/k.s/a.f/