“Shqipëria është Biodiversitet”, mozaiku i ri që sjell natyrën shqiptare në zemër të Tiranës

TIRANË, 27 shtator/ATSH/ Nga rrëqebulli i Ballkanit te Pelikani Kaçurrel, 38 prej specieve më të veçanta dhe të kërcënuara të faunës shqiptare janë mbledhur në një vepër arti që tashmë është pjesë e sheshit “Skënderbej”.
Mozaiku “Shqipëria është Biodiversitet” i realizuar nga Kledi Eski në bashkëpunim me Anna Paola Franceschi dhe një ekip ndërkombëtar sjell në zemër të kryeqytetit një mesazh për mbrojtjen e natyrës përmes qindra mijëra copëzave të qelqit.
Mozaiku vjen si një riinterpretim bashkëkohor i mozaikut historik “Shqipëria”, i vendosur në fasadën e Muzeut Historik Kombëtar, duke ndërthurur trashëgiminë artistike me një mesazh të drejtpërdrejtë për ruajtjen e pasurisë natyrore të vendit.
Iniciativa, e cila ka nisur si një fushatë ndërgjegjësimi që prej vitit 2023, synon të vendosë mbrojtjen e natyrës dhe biodiversitetit në qendër të vëmendjes publike.
Ky imazh u prezantua për herë të parë në vitin 2023 si një ndërhyrje e përkohshme në sheshin Skënderbej. Në vitin 2026, ai rikthehet në një formë të re dhe të qëndrueshme si një mozaik monumental prej qelqi.
Qindra mijëra copëza individuale bashkohen për të krijuar një imazh të vetëm, duke pasqyruar idenë e ndërvarësisë që qëndron në themel të një ekosistemi: elemente të ndryshme që, së bashku, formojnë një tërësi më të madhe.
Krahas mozaikut është çelur edhe ekspozita informative “Shqipëria është Biodiversitet”, ndërsa në Pavijonin e Përkohshëm pranë Muzeut Historik Kombëtar është zhvilluar një program edukativ me punëtori, bashkëbisedime dhe shfaqje filmash mbi pasurinë natyrore të Shqipërisë.
Në ceremoninë e hapjes morën pjesë drejtues të PPNEA-s, përfaqësues të Fondacionit Heinrich Böll, ambasadori i Gjermanisë, Karl Bergner, si dhe të rinj e dashamirës të natyrës.
Përmes artit dhe edukimit, nisma synon të rrisë ndërgjegjësimin mbi rëndësinë e ruajtjes së specieve të rrezikuara dhe të pasurive natyrore të Shqipërisë, duke e sjellë këtë mesazh në një prej hapësirave më të frekuentuara publike të kryeqytetit
Shqipëria është një nga zonat me rëndësi të veçantë për biodiversitetin në Evropë. Në një territor relativisht të vogël gjendet një shumëllojshmëri e jashtëzakonshme llojesh të jetës së egër, habitatesh dhe peizazhesh, përfshirë ekosisteme që janë bërë gjithnjë e më të rralla në pjesë të tjera të kontinentit.
Në Shqipëri janë regjistruar më shumë se 350 lloje shpendësh, ndërsa vendi ofron habitate për lloje emblematike dhe të rrezikuara, nga rrëqebulli i Ballkanit dhe kali i qyqes, te pelikani kaçurrel dhe foka e mesdheut.
Kjo pasuri natyrore është një vlerë jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për Evropën. megjithatë, biodiversiteti përballet me presione në rritje, përfshirë humbjen dhe fragmentimin e habitateve, ndotjen, zjarret, zhvillimin e pakontrolluar dhe ndryshimet klimatike.
Në vitin 2023, zyra e Tiranës e fondacionit Heinrich Böll dhe PPNEA (Organizata për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri), organizata e parë mjedisore në Shqipëri, themeluar në vitin 1991, nisën fushatën “Shqipëria është biodiversitet”.
Fushata synon ta sjellë biodiversitetin më pranë publikut dhe të rrisë ndërgjegjësimin mbi pasurinë natyrore të Shqipërisë, rëndësinë e saj për Evropën dhe përgjegjësinë e përbashkët për mbrojtjen e saj.
1 nga 11/k.s/a.f/