Parlament, socialistët kërkojnë dënimin e 8-të deputetëve demokratë

Deputetët socialistë në parlament i kanë kërkuar të hënën kryeparlamentares Lindita Nikolla, përjashtimin e 8 deputetëve të Partisë Demokratike që bllokuan në seancën plenare të së enjtes foltoren e Kuvendit. Sipas tyre Luçiano Boçi, Ina Zhupa, Albana Vokshi, Luan Baçi, Tritan Shehu, Ervin Salianji, Gazment Bardhi dhe Bledion Nallbati, duhet të përjashtohen 10 ditë nga parlamenti.
Në kërkesën zyrtare drejtuar zonjës Nikolla, thuhet se gjashtë deputetë bllokuan faltoren, ndërsa Gazmend Bardhi e Bledion Nallbati kanë artikuluar fjalë fyese ndaj kryeparlamentares, si dhe kanë përdorur mjete të palejuara me qëllim krijimin e zhurmës në Kuvend.
Kërkesa do të shqyrtohet nga Këshilli i Etikës të mërkurën.