E Shtunë, 31 Tetor 2026

Parlamenti Evropian kërkon njohjen e Kosovës

Autori i Lajmit: red.
Parlamenti Evropian, ku u diskutua për Kosovën, kërkon njohjen e pavarësisë së saj nga të gjitha shtetet e BE. Ato vende, të cilat nuk e kanë bërë këtë, duhet ta bëjnë, u tha në Strasburg në një rezolutë që pasoi një debat për Kosovën.
Një vit pas shpalljes së pavarësisë Kosova është në paqe dhe, deri në një farë mase, stabile - kështu mendon Parlamenti i Evropës në Strasburg. Në deklaratën e tyre deputetët thanë se gjendja e sigurisë është përmirësuar. Gjithsesi, ata janë të shqetësuar për përhapjen e gjerë të korrupsionit dhe kriminalitetin e organizuar në rajon. Sipas shtypit ndërkombëtar, Kosova ka emrin e keq që u shërben bandave kriminale si vend për pastrimin e parave. Kryetarja e delegacionit për Evropën Juglindore në Parlamentin Evropian, Doris Pack, kërkon që me paragjykime të tilla të bëhet kujdes: "Ajo për të cilën flitet nuk ndeshet vetëm në Kosovë, edhe në Serbi situata është e ngjashme. Në të gjithë rajonin kemi trashëgiminë e keqe të regjimit të Milosheviçit. Ju e keni parë që edhe në Kroaci, papritur, dolën në pah klane të tilla të vjetra, me vrasjen e vajzës së vogël të një prokurori. Këto gjëra nuk mund të thuhen vetëm për Kosovën.
Ky shtet ekziston tashmë dhe ta lësh në dorë të fatit të vet, do të ishte një gabim. 54 shtete e kanë njohur deri tani Kosovën si shtet, ndër to edhe SHBA, por jo të gjitha vendet e BE-së. Në shumë kryeqytete evropiane Kosova vazhdon të konsiderohet si rast që mund të krijojë një precedent të rrezikshëm. Martin Shulc, kryetar i grupit socialist në Parlamentin e Evropës, kërkon që gjendja të gjykohet esëll: “Sigurisht që shqetësimet vazhdojnë, por ne duhet ta kemi të qartë se shpallja e pavarësisës së Kosovës vazhdon të jetë mjaft e diskutuar nga këndvështrimi i së drejtës ndërkombëtare publike dhe së drejtës shtetërore; për këtë ne duhet ta stabilizojmë më tepër se kurrë ekonomikisht dhe institucionalisht Kosovën. Ky shtet ekziston tashmë dhe ta lësh në dorë të fatit të vet, do të ishte një gabim.
Ne duam një universitet ndërkombëtar në Kosovë, në të cilin të mësojnë bashkarisht serbë dhe shqiptarë. Parlamenti Evropian i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare që ta mbështesë me të gjitha forcat EULEX-in. Por vetëm politika nuk mjafton. Në Kosovë bëhet fjalë edhe për të bashkuar në projekte të përbashkëta konkrete njerëz të etnive të ndryshme, mendon eurodeputetja gjermane Doris Pack: “Ne kemi propozuar që në qendër të Kosovës të ngrihet një universitet ndërkombëtar. Në Prishtinë ka një universitet dhe në Mitrovicë një tjetër dhe ne duam një universitet ndërkombëtar në qendër, në të cilin të mësojnë bashkarisht serbë dhe shqiptarë duke u bërë kështu më tolerantë".
Ky lajm është publikuar: 06/02/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›