E Shtunë, 31 Tetor 2026

Parlamenti gjerman premton ratifikimin e MSA-së dhe të ftesës për anëtarësimin në NATO

Bundestagu Gjerman do të ratifikojë sa më shpejt që të jetë e mundur, MSA-në mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian dhe ftesën e anëtarësimit të NATO. Pretimi është dhënë dje nga presidenti i Bundestagut Gjerman, Norbert Lammert, pas takimit që zhvilloi dje paradite në mjediset e kryesisë së Kuvendit me homologen e tij shqiptare, Jozefina Topalli Dy homologët u takuan në selinë e Kuvendit të Shqipërisë dhe më pas u prononcuan për mediat, duke vlerësuar marrëdhëniet e mira mes dy vendeve. “Bashkëpunimi mes dy vendeve sot mund të zhvillohet me mirë se ndonjëherë më parë”- deklaroi Lammert. Ky i fundit vlerësoi rëndësinë e bashkëpunimit mes dy parlamenteve si një kerkesë të dorës së parë. “Gjermania ka pasur një rol kryesor në nënshkrimin e MSA-së mes Shqipërisë dhe BE-së dhe në marrjen e ftesës së anëtarësimit në NATO”, vijoi presidenti i Bundestagut Gjerman, duke garantuar se Bundestagu Gjerman do të ratifikojë sa më shpejt që të jetë e mundur MSA-në dhe ftesën e anëtarësimit të NATO.
Presidenti i Bundestagut theksoi gjithashtu se kuadri i përgjithshëm i bashkëpunimit mes dy vendeve është përmirësuar në mënyrë spektakolare, ndërkohë që janë hapur perspektivat e bashkëpunimit politik, ekonomik dhe kulturor. “Kishte një sërë arsyesh që unë vendosa të bëj një vizitë në Shqipëri, por një nga arsyet padyshim është fakti që vizita e fundit zyrtare e një Presidenti të Parlamentit gjerman ka 15 vjet që ka ndodhur, kështu që tani ishte koha më e përshtatshme dhe më e nevojshme për ta bërë një gjë të tillë. Aktualisht bashkëpunimi mes dy vendeve mund të zhvillohet më mirë se kurrë më pare. Rëndësi ka jo vetëm bashkëpunimi mes dy qeverive, por edhe bashkëpunimi mes parlamenteve për kuptimin modern të politikës së kohës sonë. Raporti mes politikës së brendshme dhe politikës së jashtme ka dalë në njëfarë mënyre i tepërt. Për marrëdhëniet midis shteteve bashkëpunimi shtrohet si një kërkesë e dorës së parë. Ndërkohë që në periudhën e fundit janë nënshkruar një sërë marrëveshjesh, të cilat synojnë ta thellojnë bashkëpunimin tone”- tha zoti Lammert. Ndërsa kryeparlamentarja Topalli, duke vlerësuar vizitën e zotit Lammert në Shqipëri, vuri në dukje se nga viti 1993 është hera e dytë që një President i Bundestagut Gjerman vjen në vendin tonë. “Biseduam gjatë dhe u fol për perspektivën europiane të Shqipërisë”, tha znj. Topalli, e cila vlerësoi mbështetjen që Gjermania ka dhënë për Kosovën dhe për Shqipërinë, për demokratizimin e saj
në të gjitha fushat. Kryetarja e Kuvendit, pati një vlerësim të veçatë për mbështetjen financiare dhe në reformat ekonomike që Gjermania ka dhënë ndaj Shqipërisë. “Gjermania është vendi i parë, në renditjen e të gjitha vendeve të BE-së, për mbështetjen financiare ndaj Shqipërisë dhe mbështetjen ndaj reformave ekonomike, të cilat bënë të mundur që sot Shqipëria të ketë një rritje ekonomike prej 6 % dhe një horizont për të ardhmen dhe zhvillimin e mëtejshëm në këtë fushë” - deklaroi ajo. Duke informuar mbi takimin me Presidentin e Bundestagut gjerman, Topalli u shpreh se tema kryesore e takimit ishte perspektiva europiane e Shqipërisë. Në këtë drejtim, ajo vlerësoi mbështetjen e Gjermanisë për gjithë rajonin tonë, për njohjen e pavarësisë së Kosovës, më 21 shkurt dhe hapjen e ambasadës gjermane, menjëherë brenda një jave. Gjithashtu, Topalli vlerësoi mbështetjen që Gjermania i ka dhënë procesit të demokratizimit në Shqipëri, në të gjitha fushat, në lirinë dhe të drejtat e njeriut, konsolidimin e shtetit ligjor dhe në mënyrë të veçantë, mbështetjen financiare që shteti gjerman i ka dhënë shtetit shqiptar në këto 17 vite, duke përfshirë dhe grandet financiare brenda BE-së. Ajo evindetoi me këtë rast marrëveshjen financiare të nënshkruar mes dy vendeve, që po implementohet në projektet e ujësjellësve dhe kanalizimeve në Berat, Kuçovë, në
Krujë dhe rrethe të tjera. “Ka projekte të rëndësishme në fushën e energjisë dhe interkonjeksionit prej 400 kilovoltësh në lidhjen energjetike midis Shqipërisë, Malit
të Zi dhe Kosovës, si dhe unazës energjetike në jug të Shqipërisë”- theksoi ajo. Kryeparlamentarit gjerman i është rezervuar dje një takim i veçantë edhe
nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi. Kreu i shtetit vlerësoi mbështetjen politike që Gjermania i ka dhënë Shqipërisë. Topi nënvizoi gjatë bisedës së tij me zotin Lammert nivelin shumë të mirë të marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Gjermanisë. Presidenti shprehu me këtë rast besimin për konsolidimin dhe thellimin e mëtejshëm të tyre në të ardhmen, sidomos në aspektin ekonomik, ku investimet e firmave serioze gjermane janë të mirëpritura në sektorë si infrastruktura, energjetika, turizmi, bujqësia, minierat, transporti, etj. Po ashtu, ai vuri në dukje “angazhimin për forcimin e bashkëpunimit politik mes dy vendeve nëpërmjet shkëmbimit të vizitave të nivelit të lartë, siç është rasti i vizitës së Dr. Lammertit, që është një dëshmi e qartë e rritjes së nivelit të dialogut politik dhe që kontribuon ndjeshëm në intensifikimin e bashkëpunimit ndërparlamentar”. Pasi përshkroi reformat e ndërmarra në vend si ajo në gjyqësor dhe reformën zgjedhore, të përcjella me një konsesus të gjerë politik, zoti Topi theksoi mbështetjen për diplomacinë parlamentare, si një fushë shumë e rëndësishme bashkëpunimi. Sipas tij, shkëmbimet e ndërsjella të strukturave të ndryshme të dy parlamenteve do të shërbenin dhe për shkëmbim eksperience sa i përket përafrimit të legjislacionit me atë të BE-së në kuadër të integrimit tonë evropian. Në këtë kuadër, Kreu i Shtetit shprehu besimin në ratifikimin e shpejtë të MSA-së nga Parlamenti gjerman. Presidenti Topi vlerësoi ndër të tjera mbështetjen që Gjermania, një vend mik, i dha Shqipërisë në marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO dhe shprehu besim në vazhdimësinë e kësaj mbështetjeje në të ardhmen. Nga ana e tij, Kryetari i Parlamentit gjerman, uroi Presidentin Topi për arritjen e suksesit në marrjen e ftesës anëtarësuese për në NATO, duke e siguruar se shumë
shpejt Parlamenti gjerman do të miratojë me shumicë votash Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit të vendit tonë me BE. Dr. Lammert vlerësoi konsensusin e gjerë në politikën dhe shoqërinë shqiptare për kryerjen e reformave dhe arritjen e standardeve në përmbushje të aspiratave integruese në strukturat euro-atlantike dhe premtoi nxitjen e mëtejshme të dialogut dhe bashkëpunimit ndërparlamentar për t’i kontribuar perspektivës së përbashkët në familjen e madhe europiane.
Lammert-Berishës: Vitet e fundit Shqipëria ka bërë përparime të dukshme në aspektin politik dhe ekonomik/Presidenti i Bundestagut gjerman, ka vlerësuar përparimet që ka bërë Shqipëria vitet e fundit, si në aspektin politik, ashtu edhe në aspektin ekonomik. Gjatë një konference të përbashkët për shtyp me kryeministrin Sali Berisha, zoti Norbert Lammert vuri dje në dukje ‘vlerësimin shumë të qartë që bën Shqipëria në adresë të mbështetjes gjermane në këto vite’. “Pas shumë vitesh izolimi Shqipëria e kërkoi dhe e gjeti rrugën për në Europë, rrugën drejt integrimit. Vizita ime këtu synon që t'i japë një nxitje të mëtejshme kësaj rruge dhe këtij bashkëpunimi. Është e nevojshme që reformat e brendshme në Shqipëri të vazhdojnë. Mbështetja e Gjermanisë do të vijojë me të njëjtat ritme dhe do të shoqërojë zhvillimin e mëtejshëm të Shqipërisë”- tha Lammert. Nga ana e tij, kreu i qeverisë shqiptare vlerësoi vizitën e Presidentit të Bundestagut gjerman si “një ngjarje shumë të rëndësishme në marrëdhëniet shumë të mira dhe miqësore që ekzistojnë ndërmjet dy vendeve tona". Gjithashtu, Kryeministri Berisha shprehu mirënjohjen për mbështetjen që qeveria gjermane i ka dhënë dhe i jep Shqipërisë, duke e vendosur vendin tonë në krye të listës së ndihmës financiare për frymë”. “Vlerësoj mbështetjen financiare që Gjermania i ka dhënë vendit tonë gjatë këtyre viteve, e cila arrin në mbi 700 milionë euro, si dhe për mbështetjen që ka dhënë në marrjen e ftesës për anëtarësimin në NATO nga vendi ynë. Ndihma e Gjermanisë ka patur një rëndësi jashtëzakonisht të madhe, pasi është shtrirë në të gjitha fushat, por ka qenë gjithashtu thelbësore për arritjet e Shqipërisë në ndërtimin një shoqërie demokratike dhe të ekonomisë së tregut në vend. Informova gjithashtu për të gjitha reformat e ndërmarra nga qeveria gjatë këtyre 3 viteve të fundit, që kanë si synim kryesor konsolidimin e kritereve të Kopenhagenit, standardeve europiane dhe ato të partneritetit europian”- tha kryeministri Berisha, duke garantuar se reformat janë
dhe do të mbeten 'perpetum mobile' e kësaj qeverie”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›