Parlamenti i Lituanisë kundra ndalimit të armëve bërthamore, përshkallëzohen tensionet në Evropën lindore

Parlamenti i Lituanisë ka votuar për heqjen e ndalimit kushtetues për armët bërthamore, në një vendim që kërkon edhe një votim të dytë për t’u miratuar përfundimisht. Masa ka shkaktuar reagimin e Kremlinit, i cili paralajmëroi se ndryshimi mund të sjellë një raund të ri përshkallëzimi në rajon.
106 deputetë nga 141 votuan pro ndryshimit kushtetues. Për miratimin përfundimtar nevojiten dy të tretat e votave në dy votime, ndërsa votimi i dytë është planifikuar për 12 janar.Presidenti lituanez Gitanas Nausėda kishte deklaruar më herët se partitë politike në vend kishin rënë dakord për planin për heqjen e ndalimit, në një kohë kur lufta në Ukrainë dhe politika e Rusisë kanë ndryshuar ndjeshëm situatën e sigurisë në Evropën Lindore.
Megjithatë, Nausėda ka theksuar se nuk ka plane të menjëhershme për vendosjen e armëve bërthamore në territorin lituanez. Sipas tij, heqja e ndalimit do t’i jepte vendit mundësinë për të ndërmarrë veprime në të ardhmen, nëse situata e sigurisë do të ndryshonte.