Parlamenti i ri PS Fituesi i paracaktuar

Por edhe pse duket qartazi se projekti fitues ishte paracaktuar, kryetarja e Kuvendit ka kryer një konkurs duke harxhuar të paktën 100 mijë euro.
Deputeti i Partise Socialiste, Taulant Balla ka bërë publike disa fakte, duke paraqitur një tablo të qartë të shpenzimeve publike të shtetit.
“Ky është artikulli, këtu shpallet emri i Wolfgang Prix. Fituesi paska qenë i paracaktuar. Shpenzimet janë para të hedhura dëm. 50 mijë euro vetëm për reklamat, 50 mijë euro për të reklamuar gjoja votimin në internet, për dikë që ishte zgjedhur. Gjithashtu, 2 milionë euro janë shpenzuar për piramidën dhe 700 mijë euro për sallën e Parlamentit”, ka deklaruar Balla.
Në gazetën vjeneze thuhet se kostoja për ndërtimin e Parlamentit të ri do të shkojë në disa qindra milionë euro, dhe ku është parashikuar ndërtimi i një apartamenti luksoz për kryetaren e Kuvendit.
Deputeti Balla ka bërë një përmbledhje të shpenzimeve të kryera deri më tani për projektet mbi rikonstruksionin e piramidës, por edhe të Parlamentit.
“Sikur të mos mjaftonin 2 milionë euro për të transformuar QNK-në në teatër, para që një zot e di ku kanë përfunduar, sikur të mos mjaftonin 700 mijë euro për rikonstruksionin e sallës aktuale të Parlamentit të Shqipërisë, kjo pjesëtare e këtij regjimi shpenzon qindra miliona euro për ndërtimin e një Parlamenti të ri, ku do të përfshihet edhe një apartament luksoz për kryetaren e Kuvendit”, ka deklaruar Balla.
Edhe pse arkitektë, mbrojtës të trashëgimisë kulturore, aktivistë të shoqërise civile, përfaqësues të botës akademike, por edhe të kulturës, si dhe qytetarë të thjeshtë shprehën mendin kundër prishjes së godinës së piramidës, kryetarja e Kuvendit mbylli konkursin në datën 24 mars.