Parlamenti i ri mblidhet në 9 Shtator
Më 9 Shtator do të mblidhet Parlamenti i ri i Shqipërisë.
Presidenti i vendit, Bujar Nishani ka dekretuar sot mbledhjen e legjislatures së re të Kuvendit e cila është edhe legjislatura e 19-të.
Në mbështetje të nenit 67, pika 1 dhe nenit 93 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani dekretoi mbledhjen e Legjislaturës së XIX të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, ditën e hënë, datë 9 shtator 2013, ora 18:00 shkruhet në dekretin e kreut të shtetit.
Dekreti vjen një ditë pasi Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve shpalli zyrtarisht rezultatin e zgjedhjeve të 23 Qershorit, ku koalicioni i majtë do të ketë 83 deputetë në Parlament, ndërsa koalicioni i djathtë do të ketë 57 deputetë.
Tashmë është zbuluar se kjo legjislaturë do të drejtohet nga Ilir Meta ndërsa ende nuk dihet se kush do të jetë deputeti më i vjetër që do të drejtojë seancën e parë plenare.
Ish-Kryetari i PD-së Sali Berisha i cili duhej ta drejtonte këtë seancë si deputeti më i vjetër ka konfirmuar se nuk do e pranojë një gjë të tillë.