Paro Laçi konfrontim fizik me kryebashkiakun e Kamzës, Mziu
Tribuna “VIP” vazhdon të prodhojë mjaft tension në kampionatin shqiptar. Nervozizmi nuk ka munguar as në ndeshjen Partizani-Elbasani, ku protagonist është bërë sërish administratori Paro Laçi. Pas debatit të fundjavës në Gramsh me menaxherin e Elbasanit, Ferdinand Lleshi, njeriu që po udhëheq “demat” drejt elitës së futbollit është konfrontuar edhe me kryetarin e Bashkisë së Kamzës, Xhelal Mziu. Laçi nuk e ka parë me sy të mirë prezencën e kryebashkiakut të një prej rivaleve direkte në tribunë dhe i ka kërkuar të largohet. Kjo ka bërë që ndërmjet tyre të shpërthejë një debat i ashpër, i cili u shoqërua edhe me konfrontime fizike mes palëve. Në situatën e krijuar, Mziu vendosi që zgjidhja më e mirë ishte të largohej nga stadiumi, por, pas disa minutave, ai u rikthye në tribunë. Futja për të dytën herë e kreut të Bashkisë së Kamzës ka shkaktuar sërish zemërimin e administratorit të kuq, i cili nuk ka kursyer as forcat e rendit: ai i akuzoi uniformat blu se i hapën derën Mziut pas ndërhyrjeve nga lart. Përplasjet ndërmjet Partizanit dhe Kamzës nuk lidhen vetëm me rivalitetin e dy skuadrave në klasifikimin e Kategorisë së Parë, por edhe me problemet që u regjistruan më 21 mars në takimin Kamza-Partizani (1-1), të vlefshëm për javën e 22. Në atë rast, takimi filloi mes incidenteve, pasi drejtuesit e kuq nuk lejoheshin që t’i afroheshin stadiumit.
#